Rama: 700 milionë euro i janë lënë biznesit të vogël nga taksimi zero

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi një bashkëbisedim me biznesin e vogël në Shkodër për të prezantuar nismat ekonomike të qeverisë në mbështetjen e tyre.
Gjatë takimit, Rama tha se është duke u diskutuar mundësia për të sjellë një element të industrisë ushtarake në Shkodër, duke e konsideruar këtë si një mundësi për punësimin.
“Jemi në diskutime për të sjellë dhe një element të industrisë ushtarake në Shkodër. Kuptohet jo në qytet por në periferi, që do të ishte shumë mirë për punësimin, por edhe për profesionistët e rinj do të ishte shumë mirë. Nëse për industri ne kemi një ekstrem nga njëra anë të historisë së tranzicionit që ishin fasonët, industria ushtarake është ekstremi tjetër kur vjen puna tek niveli i përgatitjes dhe shpërblimeve për punonjësit”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te përfitimet e biznesit të vogël nga taksa progresive, ndërsa theksoi se ky model i taksave do të mbetet i pandryshuar deri në vitin 2029. Sipas Ramës 700 milionë euro i janë lënë biznesit të vogël nga taksa 0 me tavanin 140 mijë euro, ndërsa 140 milionë euro në vit i janë lënë punonjësve me ndryshimin e regjimit fiskal.
“Për ta mbyllur me biznesin e vogël. Unë besoj se në këtë pikë nuk ka asgjë për të shtuar sepse është i vetmi biznes i vogël në rajon me taksa 0 dhe e tha ministrja me tavanin 140 mijë euro me taksa 0. Biznesi i vogël deri në 2029 do të qëndrojë 0 pastaj është histori tjetër, por deri në 2029 që të marrë forcë të rritet të ketë kapacitete familja. Po të bësh llogaritë janë një shumë e konsiderueshme. Janë rreth 700 milionë euro që i janë lënë biznesit të vegël dhe nuk janë marrë në arkën e shtetit në gjithë këto vit. 700 milionë euro janë një shumë e konsiderueshme, pa llogaritur edhe 140 milionë euro në vit që i janë lënë punonjësve me ndryshimin e regjimit fiskal nga taksa e sheshtë me 10 %, nga taksa progresive”, u shpreh Rama.
“Taksa progresive është më impenjative për ata që fitojnë shumë, por në të gjithë fashën që prek 93% të punonjësve në privat ose shtet, taksa është 1 ose 0-10% dhe për këtë arsye 140 milionë euro në vit i janë lënë në xhep punonjësve në gjithë këto vite që janë jo pak. 1.4 miliardë dhe 700 milionë shkojnë mbi 2 miliardë apo jo vlerë që shteti nuk e ka marrë që do të ishin një para shumë e madhe për qeverinë për të bërë investime etj.etj, por kemi preferuar për t’ua lënë familjeve, do të vazhdojmë kështu me biznesin e vogël edhe tavanin nuk do ta prekim edhe sistemi do të mbetet njësoj deri në 100 mijë euro do të jetë pa TVSH mbi 100 mijë euro fillon TVSH”, vijoi Rama.
“Jemi duke punuar për një ide të re për t’i krijuar një periudhë lehtësie atyre që kalojnë mbi 140 por këtë do të duhet ta konsultojmë. Duam t’i japim atyre që kalojnë mbi 140 mijë që të deklarojnë më shumë, që mos të detyrohen të fshihen e të gënjejnë. Duke i dhënë këtë mundësi që të deklarojnë por për çfarë deklarojnë mbi 140, të paguajnë vetëm 5% tatim. Besoj se u intereson që të keni shumë më tepër kapacitet në bankë”, u shpreh Rama. /j.p/