E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Projekt i ngjashëm me Piramidën për talentet e teknologjisë në Shkodër

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me biznesin e vogël në Shkodër për të prezantuar nismat ekonomike të qeverisë në mbështetjen e tyre.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “ne kemi hyrë në një fazë të re tani për hapësirat për të gjithë vajzat dhe djemtë e talentuar të botës së teknologjisë që kanë filluar të zhvillojnë bizneset e tyre.

“Kemi aktiv parkun e parë teknologjik “Duranën”, ku mund të regjistrohesh edhe virtualisht”, tha Rama.

“Jemi duke përfunduar një tjetër bazë shumë cilësore në Vlorë”, shtoi ai..

Piramida, theksoi Rama “është dallëndyshja e parë dhe nën modelin e Piramidës, për të pasur brenda edhe programet që janë për fëmijët e TUMO-s, për të pasur brenda edhe hapësirat për ata që janë më të rritur dhe që kanë nevojë fillimisht për një mbështetje që të mund të ulen dhe të punojnë, se nuk i kanë kapacitet për të pasur zyrat e veta, qiratë etj kemi me Fondin Shqiptar të Zhvillimit projektin për Shkodrën”.

Rama u shpreh se ka dy opsione për ta realizuar në Shkodër këtë projekt.

“Një opsion është që në bashkëpunim me RTSH-në të shfrytëzojmë një pjesë të godinës së TV Shkodrës këtu në qendër. Është godinë shumë e bukur dhe ka një pjesë që është komplet e pashfrytëzuar. Një variant tjetër, që është më ambicioz, më i madh por që do dhe më shumë investime, është tek Uzina e Telit. Jemi duke punuar janë të dyja variantet në tavolinë, do shohim sesi do ecin”, theksoi Rama.

“Besoj që ne duhet të ecim me një program të përbashkët të qeverisë dhe të bashkisë specifikisht për artin dhe kulturën të përqendruar në Shkodër, pasi shtoi Rama, “arti dhe kultura këtu kanë një traditë dhe pasi e kombinuar me elementet e tjerë që ka qyteti, që ka zona mund të bëjnë një punë shumë të madhe për më shumë turizëm, për më shumë biznes”, tha Rama.

Rama gjithashtu theksoi se, “përpara pak ditësh arkivi i Marubit u vulos përfundimisht si pasuri botërore dhe tani mund të themi që jo vetëm me fjalë apo me çfarë ne besojmë, por edhe me ligj, me dokumente, me vulë, me firmë Shkodra ka një kontribut në kulturën e botës”.

Rama u shpreh krenar për këtë, pasi theksoi ai, “e kemi kapur në zgrip arkivin”.

“Ka qenë realisht në fije të perit. I mbytur në disa zgëqe nëpër thasë. Një tmerr i madh. Dhe ju e dini pastaj që ndërtuam muzeun edhe kemi vënë përfundimisht nën kontroll arkivin me laboratorin me të gjitha”, tha Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi Drejtorin e Muzeut Marubi, i cili theksoi Rama “shpëtoi Shkodrën dhe Shqipërinë nga një turp i madh”.

Po ashtu, Rama përmendi Muzeun e ri të Kujtesës.

“Kemi disa gjëra në zhvillim. Kemi Muzeun e ri të Kujtesës. Më në fund Shqipëria do të ketë, jo vetëm në Tiranë ku kemi “Muzeun e Gjetheve”, por që është një tjetër këndvështrim i asaj të shkuare në ferr të popullit tonë. Do të ketë një tjetër derë, ku jo vetëm vizitorët e huaj, por edhe ne, flas gjeneratat e reja, do të mund të shohin fizikisht brutalitetin e asaj kohe”, tha Rama.

“Kemi projektin e jashtëzakonshëm të sheshit të Xhamisë së Madhe të Shkodrës që shpresoj ta bëjmë realitet”, tha Rama, teksa shtoi se, “në atë projekt do të krijohet një hapësirë e madhe për kulturë, për muzealizim në një përsëri kënd tjetër të një historie që nuk duhet harruar kurrë, historia e mënyrës sesi feja në Shqipëri, ka rrugëtuar për të ardhur sot në lirinë që ka”, tha Rama.

“Kemi muzeun e lundrimit që është projekt i nisur në këmbët e Kalasë së Rozafës në hyrje të Shkodrës, aty ku po bëhet gjithë projekti i hyrjes me molet etj, aty do të jetë një muze i bukur i lundrimit. Shkodra është një qytet që ka bërë tregti dhe një pjesë të madhe të tregtisë e ka bërë përmes lundrimit, jo vetëm në det, por edhe në liqen”, u shpreh Rama.
Kryeministri përmendi edhe Muzeun Etnografik, që theksoi ai, shpresoj shumë projekti të çohet përpara.

Duke përmendur Pinakotekën e Shkodrës, Rama u shpreh se “Shkodra ka një rol të pazëvendësueshëm në historinë e arteve të bukura. Nëse heq piktorët e Shkodrës nga lista mbetet shumë pak nga zanafilla e historisë së arteve të bukura në Shqipëri. Kështu që është pakuptim që Shkodra të mos e ketë Pinakotekën e vet”.

/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›