Berisha: Nënat dhe gratë do jenë të parat që do të hakmerren ndaj politikave të qeverisë

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë me gazetarët tha sot se takimet që zhvillon me qytetarët janë “takime të elektrizuara”, ndërsa pala tjetër bën “takime me detyrim”.
“Për të mbushur me regjistër me qendra pune, do të thotë shtet elektoral. Do të thotë, shkatërrimi i kodit elektoral, dhunimi i kodit elektoral”, tha Berisha.
Berisha tha se “sot gratë janë shtyllë e shtëpisë, janë aksionere në çdo arritje të familjes dhe asgjë s’mund t’i joshë dhe mashtrojë ato”.
Sipas Berishës, nënat dhe gratë shqiptare do të jenë të parat që do të hakmerren ndaj politikave të qeverisë.
“Kam bindje të fortë, në fibrën morale të nënave dhe motrave shqiptare, që ato do jenë të parat që do i japin reston”, tha Berisha.
Kreu i PD-së tha me tej se “punonjësit janë në presion të madh nga drejtorët patronazhistë”, duke shtuar se e “dënon këtë klimë terrori që mbillet sot në administratë”.
“Të dhënat i kam shumë të sakta, jo nga një, por nga një numër i madh institucionesh”, tha Berisha. /j.p/