Ina Rama: Në Tiranë, krimi më i rrezikshëm
Kryeprokurorja Ina Rama e ka cilësuar krimin në Tiranë si më të rrezikshmin në Shqipëri dhe i ka kërkuar prokurorëve të kryeqytetit, në analizën vjetore të saj, të kenë kujdes dosjet e pushuara. "Rama, edhe në analizën e Prokurorisë së Tiranës, ka prezantuar të njëjtat prioritete, duke iu tërhequr vëmendjen prokurorëve në lidhje me çështjet e pushuara, veçanërisht ato që i përkasin personave të arrestuar. Prokurorët duhet të tregojnë më shumë vëmendje ndaj ankimeve të vendimeve të gjykatës", thuhet në njoftimin e akuzës qendrore. Sipas saj, Kryeprokurorja në përfundim të takimeve të zhvilluara në disa prokurori në rrethe, mori pjesë në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës. "Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë përmbledh dhe problematikën më të madhe të të gjitha prokurorive. Krimi këtu paraqitet më i rrezikshëm dhe duhet të jetë prioritet i punës së prokurorëve pranë kësaj prokurorie", detajohet në njoftim. Krimi financiar ishte gjithashtu një tjetër pikë tek e cila Kryeprokurorja Ina Rama u fokusua gjatë analizës në Prokurorinë e Tiranës. "Kryeprokurorja ka kërkuar aplikimin e një politike dënimi më të ashpër për krimin financiar, gjithashtu dhe rritjen e rasteve ku përdoret gjykimi i drejtpërdrejte," thanë burimet nga akuza qendrore. Sipas saj, forcimi i marrëdhënieve me policinë gjyqësore dhe ekzekutimi i të gjitha të drejtave dhe detyrimeve që kodi i procedurës penale i njeh prokurorit, është një tjetër kërkesë që Kryeprokurorja ka parashtruar në analizën vjetore. Në takim u diskutua edhe për ruajtjen e sekretit hetimor e mos rrjedhja e informacionit, që iu është kujtuar edhe prokurorëve të Tiranës, si një fenomen që duhet goditur, drejt një etike të prokurorëve dhe sjelljes së tyre në shoqëri.
Ndërkaq, pretendimet e ngritura nga prokurorët e Tiranës lidheshin me rritjen e përfaqësisë së prokurorëve, me numrin e madh të çështjeve dhe ngarkesës në hetim, çka ul cilësinë e proceseve gjyqësore. Një tjetër kërkesë e prokurorëve të kryeqytetit është edhe nxjerrja e urdhrave të drejtpërdrejta nga Prokuroria e Përgjithshme, duke anuluar ato urdhra që kanë ndikuar negativisht mbi situatën. Tjetër shqetësim për trupën e prokurorëve të Tiranës mbetet mos pajisja me Fletore Zyrtare që ligji ua njeh si detyrim. "Kryeprokurorja Ina Rama iu ka përmendur edhe njëherë drejtuesve të Prokurorisë së Tiranës se ajo ka lidhur një kontratë me shtetin dhe në zbatim të saj po lidh kontratat me prokurorët në rrethe, kjo është marrëdhënia që ajo kërkon të funksionojë e zbatohet mes organit të akuzës dhe prokurorëve deri sa këta të fundit nuk e shkelin atë", thuhet në njoftimin e akuzës.
Prokuroria e Tiranës ka qenë "stacioni" i fundit i Kryeprokurores. Në Shkodër, Rama do të deklaronte se ngjarjet flagrante, të gjykohen drejtpërdrejt, në mënyrë që të reduktohet koha e kryerjes së një procesi penal. Në Fier dhe Vlorës tha se hetuesit duhet të kenë kujdes në krimin ekonomiko-financiar. Ky urdhër u ripërsërit edhe në Durrës. Në të gjitha prokuroritë, përfshirë edhe Krimet e Rënda, tema ishte ruajtja e sekretit hetimor, i cili, sipas Ina Ramës, është konsideruar si një fenomen që duhet goditur, madje duke ndëshkuar personat që e kryejnë atë.