Rama i merr Berishës kasetën e Durrës-Kukës
Këshilli i Ministrave i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kryeprokurores Ina Rama për procesverbalet e mbledhjes së qeverisë, ku u diskutua për rrugën Durrës-Kukës. Mësohet se ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Gjergj Bojaxhi, ka qenë edhe oponenti më i ashpër i ministrit Lulzim Basha. Ai ka debatuar me Bashën dhe Berishën për vendin që do të zinte investimi i rrugës Rrëshen-Kalimash në buxhetin e shtetit. Deklarimet e tij do të bëhen objekt verifikimesh në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila ka në dorë hetimet. Lajmi konfirmohet nga burime konfidenciale pranë akuzës qendrore, ndërsa në rrugë zyrtare krerët e saj deklarojnë se gjithçka është nën hetim dhe për momentin nuk mund të jepen sekrete hetimore. Mësohet se procesverbali i kësaj mbledhjeje të qeverisë së datës 23 gusht 2006 është protokolluar pranë Kryeministrisë dhe ditët e fundit është vënë në dispozicion të hetimit. Pas kësaj procedure, si dhe transferimit të dosjes, akuza qendrore ka nisur një verifikim ndaj vendimeve të qeverisë, ku dyshohet se disa prej tyre janë kryer jashtë ligjeve shqiptare. Në dosjen e organit hetimor vlerësohet se katër vendime të qeverisë në vitin 2006 nuk bazohen në Kushtetutë dhe në ligje. "Vendimet nr. 460, 481, 526, 651 kanë legjitimuar një gjendje të tillë paligjshmërie me pasoja të rënda financiare ekonomike për buxhetin e shtetit. Ato janë nxjerrë në kapërcim të kompetencave ligjore që ka Këshilli i Ministrave dhe janë në kundërshtim flagrant me ligjin, pra absolutisht të pavlefshëm" thuhet në dosjen e akuzës. Ndërkohë pritet që akuza qendrore të marrë në pyetje persona të tjerë, të cilët mund të hedhin dritë mbi procedurat e tenderimit të rrugës Durrës-Kukës. Sektori i Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës, gjatë hetimeve 185- ditore mbi skandalin e ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash mori në pyetje 12 persona. Sipas dosjes pres 41 faqesh, fletëthirrjeve të organit të akuzës u janë përgjigjur të pandehurit Andi Toma dhe Lejla Saraçi. Pas ndërrimit të kreut të akuzës qendrore, Lulzim Basha, një nga përgjegjësit, sipas dosjes, ka dëshmuar vullnetarisht, duke hedhur poshtë pretendimet e grupit hetimor. Pikërisht, në kohën e Sollakut, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, ishte përgjegjësi kryesor i abuzimeve në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Sollaku detajonte në kërkesën për heqjen e imunitetit, drejtuar Kuvendit, se: "Përzgjedhja e firmës fituese për ndërtimin e aksit Rrëshen-Kalimash ka qenë e paracaktuar nga zoti Lulzim Basha. Nuk ka asnjë dokument apo dëshmi që të provojë se cili ekspert i Bankës Botërore ka bërë sugjerimin, cilat janë shoqëritë e tjera të sugjeruara, si dhe cilat janë ofertat e tyre financiare. Për më tepër Banka Botërore në deklarimet që ka bërë në shtyp ka mohuar pjesëmarrjen e saj në këto procedura". Ndërsa në dosje shkruhet se qeveria shqiptare mori vendimin për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash duke nënshkruar në një vendim qarkullues dhe duke shmangur debatin në mbledhjen e qeverisë. "Vendimi i qeverisë i datës 10 korrik 2006 është vendim qarkullues. Nga ministri Lulzim Basha për në Këshillin e Ministrave është nisur relacioni shpjegues për këtë vendim si dhe mendimi i APP", vlerësojnë prokurorët. Në fakt, miratimi i një vendimi të rëndësishëm siç ka qenë ai për ndërtimin e rrugës duhet të shoqërohej me një debat në mbledhjen e qeverisë dhe për këtë arsye grupi hetimor i kërkoi me ngulm Këshillit të Ministrave oponencën e qeveritarëve. s.çobo
Hetimi
Dosja në kohën e Sollakut
"Prokuroria ka marrë vendim sekuestrimi për të gjithë dokumentacionin që lidhet me miratimin e këtyre vendimeve dhe që ndodhet në Këshillin e Ministrave. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ka pranuar që të vërë në dispozicion të hetimit procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme akoma dhe sot nuk na janë vënë në dispozicion këto procesverbale".
Prokuroria
Kërkesat dhe hetimet për Lulzim Bashën
Hetimi i rrugës Durrës-Kukës duket se do të fusë në një fazë të re marrëdhëniet mes qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, tashmë të drejtuar nga Ina Rama. Kryeprokurorja ka përsëritur disa javë më parë të njëjtën kërkesë nga paraardhësi i saj, Theodhori Sollaku, për sekuestro të kasetës së mbledhjes së qeverisë, ku u miratuan procedurat e shumëpërfolura të tenderimit për segmentin Rrëshen-Kalimash, të rrugës patriotike. Kjo kërkesë kur u bë nga Sollaku, u refuzua vazhdimisht nga Këshilli i Ministrave. Madje ish-kryeprokurori i kërkoi Kuvendit edhe heqjen e imunitetit ndaj deputetit të PD-së, Lulzim Basha. Kjo kërkesë u prit si politike nga mazhoranca. Dosja e akuzës shkruante se: "Mungesa e projektit dhe mundësia për ndryshimin e vazhdueshëm të tij, mungesa e supervizorit, mundësia e ndryshimit të çmimeve për njësi dhe si rrjedhim dhe ndryshimi i vlerës së përgjithshme të kontratës dhe shkeljet e tjera të përcaktuara më sipër i japin mundësi shoqërisë "Bechtel Inc.-Enka" që të kërkojë dhe marrë shuma parash të pakontrolluara nga shteti shqiptar. Zoti Lulzim Basha është marrë personalisht me realizimin e këtij projekti, që nga organizimi i përzgjedhjes së konsulentit dhe deri në nënshkrimin e kontratës dhe modalitetet e fillimit të zbatimit të saj. Askush nga personat që kanë nënshkruar akte të caktuara nuk merr përsipër të jenë parashtruar variante apo të jenë diskutuar ato në drejtoritë e specializuara, por mjaftohen duke deklaruar se ‘me këtë punë është marrë ministria‘, fakt i cili përbën një indicje se ‘me këtë problem është marrë ministri‘, e dhënë e cila duhet të hetohet". Në fund të dosjes "Sollaku", thuhej se në këto rrethana, provat e grumbulluara deri tani dhe sqarimi i fakteve të paraqitura më sipër e bëjnë të domosdoshme ushtrimin e ndjekjes penale ndaj zotit Lulzim Basha. Ky i fundit ka dëshmuar vullnetarisht në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa Kuvendi votoi pro heqjes së mandatit. Tashmë, prokuroria mund të kryejë lirisht hetimet, pasi ish-ministri i Transporteve nuk ka imunitet parlamentar.
Kryeprokurorja, kontroll
vendimeve të Sollakut
Prokurorët dhe hetuesit e Krimeve të Rënda rrezikojnë të humbin shtesën e pagës prej 20 për qind të vendosur nga ish-kryeprokurori Sollaku për vështirësi pune. Shkak është bërë një kontroll nga Kryeprokurorja Ina Rama ndaj paraardhësit të tij. Burime nga akuza qendrore thanë se në analizën vjetore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Rama iu është përgjigjur shqetësimit të disa prokurorëve për mosmarrje të shtesës në pagë, se po verifikon të gjithë buxhetin e kësaj prokurorie. Ajo deklaroi se më shumë rrogë dhe shpërblime do të marrin prokurorët që hetojnë dosje më vështirësi dhe jo e gjithë trupa e prokurorëve të kësaj strukture.