E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji për gjyqësorin shkel Kushtetutën

"Projektligji që po miratohet në Komisionin kuvendor të Ligjeve, ka shumë mangësi dhe shkel Kushtetutën e vendit", kështu janë shprehur dje për "Shqip" përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë. Duke analizuar mënyrën se si po kalohet ky projektligj, pa marrë mendimin e grupeve të interesit dhe problemet të cilave ai nuk u jep zgjidhje, përfaqësuesit e kësaj shoqate kanë deklaruar se zbatimi i tij në praktikë do të shoqërohet me mjaft probleme. "Ky projektligj është një dhunim i hapur që politika po kërkon t‘i bëjë gjyqësorit", tha njëri nga anëtarët e grupit themelues të Unionit.

Këto deklarata vijnë vetëm një ditë pasi një tjetër shoqatë gjyqtarësh bëri publike qëndrimin e saj kundër mënyrës se si po diskutohet ligji dhe një sërë problemesh që paraqit ai. Përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë thanë dje se ata nuk kanë mundur të dalin publikisht në media, për shkak se organizata e tyre është në fazën e zgjedhjes së organeve drejtuese. Kjo ka bërë që ata të jenë të kujdesshëm në daljet e tyre publike, por gjithsesi nuk i ka penguar të shprehin qëndrimin ndaj projektligjit, që pas miratimit do të jetë baza e punës së gjyqtarëve. Ndonëse nuk kanë specifikuar në pika të veçanta kundërshtimet e tyre ndaj projektligjit, anëtarët e Unionit të Gjyqtarëve kanë thënë se ata do të shprehen publikisht për këtë problem, sapo të kenë zgjedhur organet drejtuese të shoqatës, gjithsesi përpara se projektligji të paraqitet në tryezat e të gjithë deputetëve për miratim. "Do të flasim në kohën e duhur, brenda të gjitha afateve ligjore për miratimin e ligjit", ka thënë njëri prej përfaqësuesve të Unionit.

Projektligji për organizimin e pushtetit gjyqësor ka ngjallur mjaft reagime në radhët e gjyqtarëve. Shoqatat e tyre nuk janë ftuar të marrin pjesë dhe të thonë mendimet e tyre lidhur me këtë projektligj, megjithëse ato e kanë kërkuar me ngulm një gjë të tillë. Në këtë mënyrë e vetmja rrugë që u ka mbetur për të ndjekur, tani që ligji pothuajse ka përfunduar së diskutuari në Komisionin e Ligjeve, është shprehja publikisht e mendimeve të tyre si dhe kërkesa ndaj deputetëve për të mos e aprovuar atë kur të paraqitet në seancë plenare. Projektligji ndërkohë ka shkaktuar një përplasje edhe midis KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, e cila është hartuesja dhe propozuesja e tij.

Sot mbledhja e KLD-së

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mblidhet sot për të diskutuar disa nga propozimet e ministrit të Drejtësisë për masat ndaj gjyqtarëve. Burime zyrtare thanë për "Shqip" se në këtë mbledhje pritet të diskutohet limiti i mandateve për kryetarët e gjykatave dhe më pas do të vazhdojë diskutimi i masave disiplinore ndaj dy gjyqtarëve të Apelit të Vlorës, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngreci, dosjet e të cilëve nisën të diskutoheshin në mbledhjen e fundit të KLD-së. Në mbledhjen e fundit nuk munguan fërkimet mes drejtuesve të këshillit lidhur me atë që është shndërruar në temën e ditës për sistemin gjyqësor: kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve

Presidenti shpreh vlerësimin për ecurinë e reformës në drejtësi

"Debati politik të shprehet

në reforma profesionale"

Presidenti i Republikës ka përfituar nga forumi "Siguria dhe Politika e Jashtme" për të shprehur publikisht vlerësimet lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi. Në fjalën e tij Topi tha: "Reforma në drejtësi përbën për Shqipërinë jo vetëm një nga detyrimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por edhe një prioritet politik për t‘u përmbushur për integrimin në NATO. Presidenti gjykon se vazhdimi i reformës në drejtësi duhet t‘i përshtatet zhvillimeve demokratike të vendit. Gjatë këtyre viteve janë miratuar mjaft ligje, por ende ka shumë probleme. Duhet të provojmë që brenda një periudhe afatshkurtër të arrijmë rezultate konkrete dhe standardet e kërkuara. Kjo kërkon një seriozitet të ri mbi bazën e vullnetit politik të shprehur nga të gjitha palët. Së fundi, konstatoj me kënaqësi se në Kuvendin e Shqipërisë, komisioni përkatës ka filluar debatin politik, i cili shumë shpejt duhet të shprehet në reforma profesionale".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›