Shakill O‘Nill firmos për Feniks Sans
Ngjarja më e paparashikuar dhe e papritur në vitet e fundit në NBA është mbyllur. Shakill O‘Nill ka kaluar të gjitha testimet mjekësore dhe Feniks Sans ka dhënë miratimin për blerjen e 35-vjeçarit. Në këtë mënyrë, në skuadrën e drejtuar nga Majk D‘Antoni afrohet "MajemiShak", ndërkohë që në Bregun Lindor janë transferuar Shoun Merion dhe Markus Benks, ky i fundit asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie të mira me trajnerin dhe shpesh ka krijuar probleme në dhomat e zhveshjes. Lëvizja e realizuar nga Stiv Kerr është përkufizuar nga mediat ndërkombëtare si shumë kurajoze. Në fakt, askush nuk e kishte imagjinuar se një lojtar me karakteristikat e O‘Nill mund t‘i interesonte drejtuesve të Sansave. Por, pas largimit të Po Gasol drejt L.A. Lejkërs, ekuilibrat në Konferencën e Perëndimit ndryshuan dhe menaxheri i përgjithshëm i Feniks vendosi të rrezikonte, duke përfshirë në planet e skuadrës Shakill O‘Nill. "Jam i ndërgjegjshëm se kjo ishte një lëvizje e rrezikshme, pohoi Stiv Kerr, por rreziku është pjesë e punës sime. Jam i bindur se me Shakun në skuadër do të kemi shanse më të mëdha për të fituar në ‘play-off‘". Problemi më i madh nuk konsiston në rrogën e O‘Nill, 20 milionë dollarë në sezon, për dy vitet e ardhshme, e aq më pak në frikën nëse ai do ta ketë të lehtë të ambientohet me lojën e skuadrës së re, por mbi të gjitha në gjendjen fizike të ish-basketbollistit të Majemit. Ndërkohë, O‘Nill nga ana e tij betohet se është i gatshëm për çdo sakrificë për të ndihmuar Sans në fitimin e titullit. Sapo mbërriti në Feniks, për testet mjekësore, Shak i telefonoi liderit të skuadrës, Stiv Nesh dhe i tha: "Rri i qetë, nuk do të zhgënjej". I lumtur për këtë afrim është dukur edhe trajneri Majk D‘Antoni, që ka shprehur besim të plotë për lojtarin e ri.