Milan, Kaka kthehet në mes të shkurtit
Kaka nuk do të hiqte dorë nga sfida e dyfishtë me Arsenalin në Ligën e Kampioneve për asnjë arsye në botë. Përkundrazi, për të qenë në fushë kundër "topçinjve" dhe në formën më të mirë, ai synon të rikthehet në fushë përpara datës së caktuar: më 16 shkurt, në ndeshjen me Parmën në kampionat. "Gjurin e majtë e kam në gjendje më të mirë", pohoi fituesi i "Topit të Artë". "Por, për fat të keq, ky problem është i vjetër. Kjo situatë vazhdon të qëndrojë e njëjtë prej shumë kohësh, megjithatë, deri më tani nuk kisha pasur shqetësime. Tashmë u bë pak kohë që nuk arrij të stërvitem dhe të luaj në maksimumin tim". Për të mos e agravuar më shumë gjurin, zgjidhja ishte logjike: "Ishte momenti që të bëja një pushim dhe të shoh sa kohë më nevojitet që të rikuperohem. Po pres me padurim që të luaj dhe testi i vërtetë do të bëhet javën e ardhshme me Parmën. Shpresoj të jem edhe me Arsenalin".