Vjedhja e makinave luksoze, kapen dy grupe grabitësish
Dy grupe hajdutësh kanë përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase. Objekti i vjedhjeve për të dy grupet ishin makinat luksoze, të cilat njëri grup i trafikonte në Kosovë, ndërsa tjetri i çmontonte dhe i shiste me pjesë. Nga mekanizmat e përdorura, policia u ka vënë edhe emrat dy operacioneve të realizuara dje, përkatësisht "Trafiku" dhe "Çmontimi", duke prangosur gjashtë persona.
"Trafiku"
Policia e Tiranës deklaroi se seksioni kundër vjedhjeve të automjeteve, në bashkëpunim me Komisariatin e Pukës, mundësuan zhvillimin e operacionit të koduar "Trafiku", duke vendosur nën pranga tre persona me tendencë vjedhjet e automjeteve. Nga ky operacion u krye arrestimi i Shkëlzen Ndue Gjonit, 20 vjeç, Zamir Vladimir Vilës, 20 vjeç dhe Edmond Ndoit, 24 vjeç, të gjithë banues në rrethin e Pukës. Këta persona dyshohen se gjatë shtirjes së veprimtarisë kriminale të tyre, studionin me imtësi mekanizmin e vjedhjes në zonat periferike të kryeqytetit, dhe kryesisht në Kamzë, Bërxullë, Valias i Ri, Domje, Laknas, për të realizuar më pas vjedhjet e automjeteve. Pas realizimit të kësaj vepre penale, të lartpërmendurit kryenin trafikimin e mjeteve në drejtim të Kosovës, duke kaluar nëpërmjet rrethit të Pukës. Grupi hetimor i cilësoi të arrestuarit si pjesë e grupit kriminal të shtetasve Muharrem Gonxhe dhe Artur Konja, të cilët janë arrestuar pak ditë më parë. Ndërsa tre personat e tjerë u kapën në flagrancë në tentativë për t‘iu larguar forcave të policisë, në fshatin Gojan të Madh të rrethit të Pukës, ndërkohë që si synim kishin edhe trafikimin e një automjeti në Kosovë. Gjithashtu, këtyre personave iu është dokumentuar implikimi i tyre në vjedhjet e ndodhura në Valias të Ri më datë 29 janar 2008, ku dyshohet se kanë marrë në banesën e një shtetasi, automjetin "Mercedes Benz 210", tre celularë, si dhe shumën e parave prej 3 mijë lekësh. Ndërkohë, policia shtoi se vazhdon dokumentimi i aktivitetit kriminal, si dhe i lidhjeve shoqërore të tyre, nga grupi i punës së strukturave të posaçme.
"Çmontimi"
Në të njëjtin interval kohe, nga seksioni kundër vjedhjeve të automjeteve u mundësua edhe goditja e grupit tjetër kriminal me tendencë vjedhjen e automjeteve, gjatë operacionit të koduar "Çmontimi", duke vendosur nën pranga edhe tre persona të tjerë. Në lidhje me këtë operacion, policia tha se gjatë orëve të vona të mbrëmshme u krye arrestimi i Krenar Zef Palit, 18 vjeç, Saimir Ramazan Grorit, 22 vjeç dhe Shpëtim Hiqmet Tahos, 23 vjeç, të gjithë lindur dhe banues në Tiranë. Këta tre persona dyshohen se pas realizimit të vjedhjeve të automjeteve në disa zona të kryeqytetit, si rruga "Irfan Tomini", "Komuna e Parisit", "Qendra Eleonorë", "Qyteti i Nxënësve", bënin çmontimin e tyre, duke i shitur me porosi të servisëve të ndryshme, kryesisht në zonat periferike të Tiranës. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, identifikimi dhe arrestimi i tyre erdhi, pasi ata dyshohen se në bashkëpunim janë autorë të vjedhjes së disa automjeteve. "Nga hetimet rezulton se ata kanë vjedhur dy makina ‘Mercedes Benz‘, ngjarje të ndodhura më datë 30 janar 2008, në rrugën ‘Don Bosko‘, dhe në rrugën ‘Irfan Tomini‘ të Tiranës", deklaroi policia. Më tej, uniformat blu thanë se Krenar Pali dhe Sajmir Grori u kapën në një garazh në Selitë, në pronësi të tyre, ku në këto ambiente kryenin çmontimin e automjeteve të vjedhura dhe më pas bënin shitjen me porosi të pjesëve të mjeteve te servisë të ndryshëm. Në përfundim, policia deklaroi se materialet në ngarkim të gjashtë personave i kaluan prokurorisë nën akuzat përkatëse.
Mekanizmi
Vjedhja e makinave,
edhe me karrotrec
Para pak kohësh, një mekanizëm i ri për vjedhjen e makinave u zbulua nga policia e kryeqytetit. Hajdutët kishin sofistikuar mënyrat e tyre të vjedhjes, duke përdorur edhe karrotrecë për të kryer këtë veprim. Ndërsa deri para pak kohësh, pronarët e mjeteve mundoheshin të ruanin makinat e tyre, duke i siguruar ato nga mënyrat më të ndryshme, tashmë edhe duhet t‘i mbajnë nën mbikëqyrje, kur i parkojnë gabim, pasi kur të kthehen nuk do t‘i gjejnë më. Zakonisht, kjo ndodh kur policia e qarkullimit rrugor vendos gjoba dhe kur drejtuesi nuk e largon mjetin e parkuar gabim, për arsye se uniformat blu thërrasin karrotrecin dhe i sekuestrojnë ato. Tashmë, karrotrecët fantazma, i marrin këto makina, por jo për llogari të policisë, por për llogari të hajdutëve të mjeteve. Sipas të dhënave nga policia, hajdutët e mjeteve lidhen me ndonjë person që ka karrotrec dhe pasi i paguajnë një shumë të caktuar parash, i kërkojnë atij të marrë ndonjë makinë luksoze, që mund të jetë parkuar gabim.
Tiranë
Bllokohet edhe një mjet i vjedhur në Francë
Policia: Si realizohet
trafiku i automjeteve
Veç trafikut drejt Kosovës së mjeteve të vjedhura në Shqipëri, nga ana tjetër është shtuar së shumti edhe trafiku i mjeteve të vjedhura në vendet e tjera dhe që sillen në Shqipëri. Policia dyshon se është një grup i organizuar kriminal, i cili bashkëpunon edhe me shtetas të huaj, duke mundësuar kështu vjedhjen e mjeteve dhe trafikimin e tyre drejt Shqipërisë. Ndërkohë, edhe për sa i takon trafikut të makinave drejt Kosovës, policia shpjegon se po bashkëpunon me UNMIK-un për zbulimin e bashkëpunëtorëve shqiptarë. Policia tha se duke marrë shkas nga ky trafik makinash, nga seksioni kundër vjedhjeve dhe trafiqeve të paligjshme, u kryen veprimet procedurale për automjetin tip "Volvo S80", me targë "7348TK16", pasi rezulton se ky mjet është i vjedhur në Francë më datë 23 nëntor 2007. Drejtoria e Policisë së Tiranës bëri të ditur se pas të dhënave të mbledhura automjeti u bllokua në afërsi të pazarit të Ri. Makina drejtohej nga shtetasi Besnik Rexhep Matoshi, 35 vjeç, i cili u shoqërua në polici dhe shpjegoi pronësinë e këtij mjeti. Ndërkohë, nga veprimet e kryera, rezultoi se mjeti është futur në Shqipëri nga shtetasi Gracian Xheladin Shtylla, 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Kjo e implikon atë në trafikun e mjeteve, kështu që uniformat blu e kanë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të "Trafikimit të mjeteve motorike" dhe të "Falsifikimit të dokumenteve".
Studimi
Tiranë, zonat ku veprojnë hajdutët
Shtimi i kontrolleve të policisë brenda Unazës së Tiranës ka bërë që hajdutët e makinave të shtrijnë fushën e veprimit nëpër zona periferike. Policia deklaroi se zona e veprimit të hajdutëve është shtrirë në disa zona të tjera, duke përfshirë këtu edhe fshatrat. Sipas të dhënave nga policia, dy grupet e goditura gjatë 24 orëve të fundit vepronin në zona të ndryshme. Grupi, i cili u godit gjatë operacionit "Çmontimi" vepronte në zonën "Irfan Tomini", "Komuna e Parisit", "Qendra Eleonorë", "Qyteti i Nxënësve". Ndërkohë, grupi tjetër, i cili u godit gjatë operacionit "Trafiku" vepronte në fshatra dhe në periferi të Tiranës, që nga Kamza, Bërxulla, Valias i Ri, Domje dhe Laknas. Por, këto nuk janë të vetmet zona problematike për policinë, pasi vjedhje mjetesh ndodhin edhe në shumë zona të tjera.