E Diel, 1 Nëntor 2026

Ingrid Betancourt në Francë, pritet nga Sarkozy

Ish-kandidatja presidenciale në Kolumbi e liruar nga pengmarrja ditën e mërkurë Ingrid Betancourt, ka mbërritur në Francë, vendin ku është rritur. Avioni presidencial me të cilin udhëtoi ajo u ul në aeroportin ushtarak të Villacoublay, jashtë Parisit.

Gruaja, e mbajtur peng për vite u prit me dashuri nga presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe gruaja e tij, Carla Bruni, të cilët e përqafuan atë, sapo u shfaq në shkallët e fundit të avionit.

“E gjithë Franca është e lumtur t’ju përqafojë dhe është krenare për ju. Lirimi është një mesazh i mirë shprese”- tha presidenti Sarkozy.

Betancourt nuk e ka fshehur mallëngjimin për pritjen që iu bë. “Kam pritur 7 vjet për të jetuar këto çaste, kaq intensive, kaq të pashpjegueshme me fjalë. Ju detyrohem të gjithëve, i detyrohem gjithë Francës. Kam qarë aq shumë gjatë këtyre kohëve, nga dhimbja dhe nga indinjata. Sot, vazhdoj ende të qaj, por kësaj radhe nga gëzimi”.

Këto kanë qenë fjalët e para që tha gruaja, tashmë e famshme në gjithë botën.

Pastaj ajo i ka kërkuar ndihmë Sarkozy për lirimin e një numri shumë të madh pengjesh, që provojnë vuajtje pa fund.

Senatorja u nis nga Bogota me të ëmën, motrën, fëmijët dhe bashkëshortin. Me ta ka qenë edhe ministri i Jashtëm francez Bernard Kouchner.

Javën e ardhshme, ajo do të pritet nga Papa, që i ka nisur një mesazh përgëzimi për lirimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›