E Diel, 1 Nëntor 2026

Radushë, zbulohen motivet e përleshjes me armë

Ministria e Brendshme ka zbardhur detaje të tjera lidhur me sulmin me armë në fshatin Radushë të Shkupit, ku janë plagosur nëntë persona.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski deklaroi se motivet e këtij sulmi kanë të bëjnë me zënka dhe urrejtje midis Besfort Alitit, djali i deputetit të BDI-së, Rafiz Aliti dhe grupit tjetër nga fshati Radushë.

Siç bëhet e ditur Besfort Alitit dhe një person tjetër janë në gjendje kritike, tre të tjerë janë nxjerrë nga spitali, ndërsa pjesa tjetër po trajtohen në Qendrën Klinike në Shkup, në Spitalin Ushtarak dhe Spitalin e Qytetit të Shkupit.

“Në kuadër të kësaj urrejte të krijuar midis dy grupeve nuk mund të përjashtohen edhe motive politike, sepse në disa raste ka pasur përleshje midis tyre gjatë fushatës zgjedhore”, theksoi Kotevski.

Sipas tij, një grup prej 10 personave me makinat e tipit “Shkoda” dhe “Jugo” kanë mbërritur pranë lokalit dhe më pas kanë filluar të shtënat e armëve që më pas ka pasuar me shkëmbim zjarri.

Të dyshuar për të shtëna janë:Rexhep Saliu, Selam Aliu, Muhamed Saliu, Emin Saliu dhe Vedat Saliu nga Radusha, të gjithë janë në lidhje familjare. Gjithashtu sipas MPB-së, po shqyrtohen si persona të dyshuar edhe në mesin e të plagosurëve Reshat Asani (54-vjec), Zulmi Tahiri (46-vjec), Naser Murtezani(47-vjec), Murat Ramadani (53-vjec), Jakup Ramadani (44-vjec), Bekim Farizi(36-vjec) dhe Xhevair Selami nga Radusha.

MPB njoftoi se incidenti ka ndodhur mbrëmë në ora 23.45. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›