Konflikti për tokën, hidhet në themelet e pallatit 37-vjeçari
Shkodër- Ka dashur t’i japë fund jetës në mënyrë demonstrative, pas një konflikti për tokën, por ka përfunduar në gjendje tepër të rëndë në spital.
Ngjarja ndodhi pak minuta më parë në një lagje të qytetit të Shkodrës, kur 37-vjeçari
Halit Meta, ka dashur të vetëflijohej në pronën që e pretendon si të vetën, por që kushërinjtë ia kanë shitur një firme ndërtimi.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Shkodrës, 37-vjeçari Meta, baba i dy fëmijëve u hodh në gropën e madhe, hapur për themelet e një pallati në lagjen “Ahmet Haxhia”.
Skena është parë nga njerëz që kanë qenë rastësisht në atë moment para themeve të sapohapura për ngritjen e një pallati shumëkatësh.
Por askush nuk ka mundur të bëjë dot asgjë për të ndaluar veprimin e 37-vjeçarit. Ai ka rënë brenda gropës së thellë dhe ka marrë dëmtime të shumta. Kërkesës për ndihmë të banorëve i janë përgjigjur forcat e policisë, të cilat mbërritën me urgjencë në vendin e ngjarjes.
Ato bënë të mundur nxjerrjen e 37-vjeçarit, i cili ka qenë i gjakosur dhe sipas dëhsmitarëve me shumë plagë nëpër trup. Ai u përcoll me urgjencë në spitalin rajonal, për ndihmë mjekësore, por sipas mjekëve të Shkodrës gjendja e tij paraqitet e rëndë dhe ende nuk mund të thuhet nëse do ta kalojë rrezikun apo jo.
Ndërkohë, një grup hetimor është duke hetuar për ngjarjen dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve që e detyruan Metën të ndërmerrte një veprim të tillë.
Të dhënat e para, në bazë të asaj, që ai vetë ka thënë para hedhjes në gropë, flasin për një konflikt prone.
Mësohet se ai me kushërinjtë e tij kanë pasur probleme pronësie, dhe Meta pretendon se kushërinjtë nuk i kanë lënë pjesë në tokën që e kanë dhënë për ndërtim.
“Hetimet e mëtejshme do të hedhin dritë rreth ngjarjes”- thanë burimet policore.