E Diel, 1 Nëntor 2026

Intensifikohet bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Poloni, fokus investimet dhe marrëveshjet dypalëshe

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Një delegacion i nivelit të lartë nga Shqipëria zhvilloi një takim zyrtar me përfaqësues të Ministrisë së Financave të Polonisë, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe finalizimin e marrëveshjeve dypalëshe.

Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, u prit nga ministri i Financave të Polonisë, Andrzej Domanski, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të qeverisë polake.

Gjatë takimit u theksua rëndësia strategjike e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, të cilat janë thelluar ndjeshëm vitet e fundit. U prezantuan tregues të qëndrueshëm të bashkëpunimit, përfshirë rritjen e importeve nga Polonia me 9,9% në vitin 2025, duke arritur 216 milionë euro, si dhe rritjen e eksporteve shqiptare drejt Polonisë me 6,3%, në vlerë 26 milionë euro.

Po ashtu u evidentua zgjerimi i pranisë së biznesit polak në Shqipëri, me 110 kompani me kapital 100% polak dhe 19 me kapital të përbashkët, si dhe rritja e stokut të investimeve polake, i cili në tremujorin e tretë të vitit 2025 arriti 101 milionë euro.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe nisma për krijimin e Bankës Shqiptare për Zhvillim (BZH), e modeluar mbi përvojën e suksesit të bankës së zhvillimit të Polonisë, për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

Përfaqësuesit e të dy vendeve shprehën angazhimin për të vijuar bashkëpunimin intensiv mes ekipeve teknike dhe institucioneve përkatëse, me qëllim finalizimin dhe zbatimin efektiv të marrëveshjeve dhe projekteve të përbashkëta.

1 nga 5

e.xh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›