Interes për Paketën e Maleve, kryebashkiaku i Mirditës: 200 aplikime për projekte rurale

Nisma e qeverisë për të nxitur investimet në zonat malore përmes “Paketës së Maleve” ka ngjallur interes të dukshëm edhe në Mirditë. Sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar mbi 200 aplikime, të shpërndara në të gjitha njësitë administrative të bashkisë.
Pjesa më e madhe e aplikantëve janë banorë të larguar ndër vite, të cilët synojnë të rikthehen dhe të investojnë në vendlindje. Interesi më i lartë është për projekte në bujtina, agroturizëm, si dhe në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, e cilëson këtë iniciativë si një mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës, duke theksuar se përfitues do të jenë kryesisht banorët vendas.
“Ka një interes që vetë mirditorët, emigrantët që duan të kthehen, familje tradicionale që duan të restaurojnë banesat e vjetra dhe t’i kthejnë në bujtina e agroturizëm, ky është momenti kur ligji i favorizon ata që kanë këto prona që t’i trajtojnë në kuptimin ekonomik. Përfitues janë ata që janë posedues jo pronar. Pra që e kanë pronën e tyre të trashëguar por nuk kanë certifikatën e pronësisë dhe s’mund të jetë askush tjetër ndërhyrës në këtë pjesë përveç mirditorëve që e kanë të trashëguar pronën”, deklaroi kryebashkiaku i Mirditës Albert Melyshi.
Përballë këtij interesi të shtuar, Bashkia Mirditë i kërkon qeverisë mbështetje me investime në infrastrukturë, e cila në shumë zona paraqitet e degraduar.
“Vëmendja e pushtetit qendror dhe atij lokal duhet të jetë te infrastruktura që zhvillohet në zonë kryesisht në ato malore që nuk kanë infrastrukturë rrugore duke marrë parasysh që të ardhurat, burimet financiare janë të qeverisë të mundshme për të realizuar këto projekte”, tha ai.
Në bazë të numrit të lartë të aplikimeve, Bashkia Mirditë ka përcaktuar shtatë zona prioritare për zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik.
/RTSH/