E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e Presidentit Topi për Radio Televizionin e Kosovës.

25 janar 2008
Prishtinë

Presidenti i Republikës Bamir Topi në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Kosovës dha një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

RTK: Zoti President, faleminderit për këtë intervistë për RTK-në. Si ndjeheni në këtë vizitë dhe ardhjen tuaj këtu në Kosovë?

Presidenti Topi: Ndjehem mjaft mirë, i emocionuar për mikpritjen dhe në rast se do të jepja një përgjigje se si ndjehem psikologjikisht në këtë moment që po realizojmë intervistën, ndjehem si në ambientet e Hotel Tirana Interantional në Tiranë, ç’ka do të thotë që ndjehem shumë mirë, midis miqve, ndjehem si në shtëpinë time dhe besoj ndjehem në një atmosferë ku të gjithë e ndjejnë atë ç’ka do të vijë shumë shpejt në Kosovë, ajo që është pritur me dekada, ajo që po pritet me padurim nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të kemi shumë shpejt një Kosovë të pavarur, demokratike me institucionet, që do të respektojnë standardet e Parlamentit Europian, një shtet i ardhshëm multietnik, në respektim të minoriteteve, në harmoni fetare, në respekt të institucioneve të kultit dhe një shoqëri që në tërë kuptimin e fjalës do të konsiderohej si një shoqëri e standarteve më të larta demokratike.

Në fakt unë kam ardh në Kosovë me një ftesë nga Kryeadministratori zoti Ryker dhe nga Presidenti Sejdiu, ftesë që e pranova me shumë kënaqësi. Nuk është një vizitë me një delegacion të ngushtë, është një delegacion mjaft i gjerë, i strukturuar në mënyrë të tillë që t’i shkojë për shtat kësaj klime që është jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Në këtë delegacion janë përfaqësues të jetës politike institucionale, në mënyrë shumë të balancuar, ka personalitete të jetës së shkencës, se kulturës, artit, ka një grup të rëndësishëm biznesmenësh. Gjithsesi, delegacioni nuk presupozohet ai që ishte në avion të posaçëm, sepse delegacioni ka përmasa më të mëdha falë edhe komunikimit tokësor, d.m.th. shumë veta kanë dashur të jenë pjesëtarë të këtij delegacioni. Natyrisht ky delegacion është me shumë përfaqësues.

RTK: Jeni këtu në krye të një delegacioni shtetëror, në një vizitë shtetërore, në Kosovë. Dita sotme e juaja ka qenë mjaft agjendë e ngjeshur. ǒka do të veçonit nga takimet që kishit sot?

Presidenti Topi: Unë do të vlerësoja komunikimin me deputetët në parlament. Do të veçoja... . E kam të vështirë të them “do të veçoja” sepse të gjithë takimet kanë qenë mjaft interesante, qoftë edhe me Kryeadministratorin, me Presidentin Sejdiu, me Kryeparlamentarin, atë ceremoni në senatin e Universitetit të Prishtinës që ka në vetvete një histori të begatë në funksion të ditëve që po jetojmë sot. Aty është dhe një vlerësim retrospektiv i Universitetit të Prishtinës, duke identifikuar personazhe mjaft të nderuar, qoftë të botës së profesoratit, por edhe të botës studentore, të cilët realisht i kanë dhënë vlera të mëdha shoqërisë kosovare, duke i ndarë ato simbol të kombit për sa i përket qëndresës dhe përsa i përket perspektivës së hapur të ndritur që do të kete shoqëria kosovare.

Unë kam kontaktuar me parti të ndryshme parlamentare, i vlerësoj të gjitha takimet me përfaqësuesit serbë, unë ndaj një mesazh tjetër, që është mesazhi i domosdoshmërisë së komunikimit midis etnive të ndryshme, në respekt të vlerave të gjithsecilit dhe në funksion të një shoqërie të hapur demokratike, multietnike sipas standarteve që kërkon sot e gjithë bota e përparuar. Sigurisht, secili nga ata ka opsionet e veta, por e rëndësishme është që nga shumica pranohet që “status quo”-ja është e pamundur të vazhdojë, duhet që patjetër të arrihet në pavarësinë e Kosovës, sigurisht i takon institucioneve të Kosovës në konkordancë me institucionet ndërkombëtare. Unë besoj, koha që ka kaluar, ka qenë një kohë mjaft e gjatë, kohë përpjekjesh. Ju siguroj që duhet të kemi durimin e duhur në mënyrë që gjërat të vijnë në mënyrë të natyrshme, sepse çështja e Kosovës, sikurse e kam thënë nuk është më një çështje e izoluar, është në vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, të institucioneve ndërkombëtare dhe duhet konsideruar si një fat që sot qytetarët e Kosovës janë në qendër të gjithë agjendave diplomatike, duke filluar nga atë që është shteti kampion i lirive dhe të drejtave të njeriut, lidershipi i politikës botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i vendeve më në zë të Bashkimit Evropian, të cilët kanë nevojë që të gjejnë gjuhën e përbashkët, në mënyrë që përkrahja për Kosovën e pavarur të vijë në mënyrë të gjerë, komplekse, integrale dhe të japë garanci që Kosova nga ky status të kalojë menjëherë në statusin e integrimit dhe kuptohet që statusi i integrimit ka në vetvete mbështet në shumë projekte në devocione në mënyrë që shoqëria kosovare të kalojë gradualisht nga nevojat për marrjen e statusit në nevojën e investimeve, të hapjes së tregjeve të uljes së papunësisë të nevojës për një administrim të mirë dhe efikas të të gjitha pushteteve, dhe besoj që kjo po vjen në mënyrë të natyrshme dhe jam shumë optimist se do të vijë shumë shpejt.

RTK: Le ta zhvendosim pak bisedën në Tiranë. Shqipëria është para sfidave të integrimeve euroatlantike. Edhe Tirana zyrtare pret ftesën për në Bukuresht, për në NATO.

Presidenti Topi: Në bazë të të gjitha komunikimeve që ne kemi frekuente me faktorët që merren më çështjet e integrimit në NATO, me vendet anëtare të NATO-s, me ambasadorët. sinjalet janë mjaft pozitive. Dhe ne realisht jemi më afër se kurrë ftesës për anëtarësim. Shpresojmë që të jetë vetëm aspekti formal që do të realizohet në fillim të prillit në Samitin e Bukureshtit. Kjo natyrisht ka ardhur si pasojë e gjithë suporteve politike që vijnë nga gjithë spektri politik, nga një akord politik në funksion të reformave bazale që duhet të realizojë shteti shqiptar dhe ka pasur edhe një rikonfirmim të këtij pozicioni nga të gjitha forcat politike parlamentare për të bërë reformën në drejtësi, reformën elektorale, reformat bazë të ekonomisë dhe unë besoj që të gjitha këto japin garanci politike që Shqipëria meriton një ftesë për anëtarësim në NATO, përfshirë këtu edhe gjithçka që është bërë dhe në reformimin e Forcave të Armatosura dhe një mentalitet bashkëkohor që vjen jo vetëm në reformim, por edhe në pjesëmarrjen e Shqipërisë nëpërmjet trupave të misioneve të përbashkëta me vendet anëtare të NATO-s. Ne kemi marrë pjesë dhe aktualisht jemi në Afganistan, jemi në Irak kemi pas misionin tonë në Bosnje dhe deri tani ne kemi demostruar që Forcat tona të Armatosuara, misionet tona janë jo vetëm të motivuara, por janë mjaft të afta profesionalisht për të dhënë garanci që ne e meritojmë vërtet nga të gjitha pikëpamjet një ftesë për anëtarësim në NATO.

RTK:Vështruar këtu nga Prishtina krijohet bindja se të gjitha institucionet e Shqipërisë, Presidenca, Kryeministria, diplomacia shqiptare thuajse kanë lënë pas dore angazhimet për Shqipërinë, duke u angazhuar për Kosovën.

Është e vërtetë që krahas angazhimeve që ne kemi për Shqipërinë gati gjysma e kohës së axhendës kudo ku kemi qenë, qoftë në takimet që kemi realizuar në Shqipëri, qoftë në takimet dhe vizitat që kemi realizuar në botë, gjysma e kohës i është kushtuar pavarësisë së Kosovës. Ka qenë shumë e nevojshme që zërat të ishin institucionale dhe në sinkron me ato të institucioneve më të rëndesishme ndërkombëtare, dhe të vendeve më prestigjoze në arenen globale. Unë mund të përmend këtu që me këtë lloj pozicioni janë të gjitha institucionet, cilido aktor i politikës, qoftë institucion, qoftë pjesë e spektrit politik parlamentar është angazhuar dhe une besoj që gjithe kjo ka bërë që të rritet zëri që kërkon pavarësinë e Kosovës dhe tashmë është një çështje që besoj do të realizohet shumë shpejt.

RTK: Dhe një pyetje. Çfarë duhet të jenë, cilat duhet të jenë marrëdhëniet Shqipëri Kosovë pas statusit të Kosovës?

Presidenti Topi: Do të jenë marrëdhënie midis dy vendeve në respekt të të gjitha kontureve kushtetuese që garantojnë veprimtarinë politike-administrative të shoqërive tona. Natyrisht do të jetë shumë i rëndësishëm komunikimi në të gjitha nivelet institucionale, por dhe krijimi i një bazamenti të fortë shkëmbimesh tregtare, komunikimesh të biznesit, për krijimin e një tregu të vërtetë rajonal jo thjesht midis dy vendeve tona, por me të gjithë në Ballkan, sepse tregu rajonal presupozon edhe thithjen më të madhe të investimeve dhe kuptohet që kompanitë e mëdha prestigjoze nuk shkojnë në tregje të segmentuara, por shkojnë në tregje që japin më shumë shanse, më shumë frymëmarrje për biznesin, dhe unë besoj që tregu i Ballkanit Perëndimor shumë shpejt, që presupozon edhe Shqipërinë edhe Kosovën, por edhe Maqedoninë edhe vendet e tjera që janë buzë Adriatikut, të jenë atraktive për shoqëritë e mëdha të biznesit.

RTK: Së fundi, porosia juaj për qytetarët e Kosovës, shikuesit e Radio Televizionit të Kosovës që janë kudo në Evropë dhe në botë.

Presidenti Topi: Gjëja e parë që unë do të doja të thoja këtë mesazh në mbyllje të intervistës do ishte një përshëndetje e zjarrtë, e sinqertë për të gjithë qytetarët e Kosovës kudo ku jetojnë në Kosovë apo në Diasporë, në emigracion, i ka detyruar jeta që të qëndrojnë edhe pa dashur që të shkëputen një sekond nga Kosova, gjithsesi unë mendoj që të gjithë kanë kontribuar për Kosovën kudo ku kanë qenë. Dëshiroj t’u them që në këto momente shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, për të ardhmen e gjeneratave të reja të Kosovës, duhet të administrojnë shumë mirë emocionet që janë të natyrshme, sepse administrimi me qetësi i këtij momenti jep atë garanci që ka vënë politka kosovare gjatë gjithë kësaj periudhe duke demostruar maturi, duke demostruar një lloj pjekurie që e kanë, në substancë vendet me traditë në fushën e politikës.

RTK: Zoti President ju faleminderit shume për këtë intervistë. Ishte kënaqesi t’ju kishim se Ju keni obligime.

Presidenti Topi: Faleminderit! Kënaqësia është e imja.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›