E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

26 janar 2008

Dita e dytë e vizitës së Presidentit Topi në Prishtinë ka nisur me homazhe në varrin e ish Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. I shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta, Zv Kryeministri Gazmend Oketa, delegacioni i lartë nga Shqipëria dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Krasniqi e deputetë të tjerë, Presidenti i Republikës ka vendosur një kurorë me lule tek varri i Rugovës dhe ka nderuar kujtimin e ish-udhëheqësit e shtetarit të paharruar të Kosovës Ibrahim Rugova.

Më pas Presidenti Topi dhe delegacioni që e shoqëron i është drejtuar godinës së re të qëverisë së Kosovës ku është pritur nga Kryeministri Hashim Thaçi dhe kabineti i tij nën shoqërimin e Gardës ceremoniale.

Pas takimit mes dy delegacioneve Presidenti Topi dhe Kryeministri Thaçi kanë dalë para mediave. Pasi ka shprehur kënaqësinë për vizitën e Presidentit Topi, të cilin e ka vlerësuar për rolin dhe autoritetin jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, Kryeministri Thaçi e ka konsideruar veçanërisht të rendësishmë këtë vizitë në Kosovë, për shkak të momentit historik në prag të shpalljes sës pavarësisë si shteti më i ri në Europë me standartet plotësisht demokratike e që respekton të gjitha minoritetet. Kryeministri Thaçi ka garantuar bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese euroatlantike. ‘’Vizita e Presidentit Topi e vulos këtë bashkëpunim në prag të pavarësisë dhe unë besoj se së shpejti do jemi në prag të ditës së madhe të pavarësisë së Kosovës’’, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij Presidenti Topi e ka uruar për detyrën shumë të rëndësishme në përmbushje të misionit historik që kanë institucionet e Kosovës për të shpallur pavarësinë e shtetit më të ri ë Europës, si një shtet sovran demokratik, në respekt të të drejtave të minoriteteve e drejt një aspirate të sigurtë euroatlantike. ‘Sinqerisht Zoti Thaçi ju kemi vlerësuar sinjë figurë mjaft komplekse, keni qenë një nga luftëtarët për çlirimin e Kosovës dhe sot keni marrë profilin e një politikani modern, një politikani perëndimor që dini të përfaqësoheni më së miri me partnerët ndërkombëtarë në një mision paqeje së bashku me përfaqësuesit më dinjitozë të klasës politike të Kosovës dhe jam i bindur se me këtë lloj maturie e profesonalizmi që po tregoni, Kosova do shkojë e sigurtë drejt asaj që pritet nga të gjithë si një shtet sovran, i lirë e demokratik në rrugën e integrimit euroatlantik, rruga e përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit. Qytetarët dhe institucionet e Shqipërisë do jenë një mbështetje e fuqishme në rrugën tuaj ku nuk do ju mungojë partneriteti i sinqertë.’’

Më tej Presidenti topi ka nënvizuar rëndësinë e koordinimit të të gjitha hapave në fazën përmbyllëse të pavarësimit të Kosovës me faktorin ndërkombëtar, me BE e SHBA dhe e ka garantuar Kryeministrin Thaçi se Kryetari i shtetit të Shqipërisë do t’i kontribuojë këtij procesi në funksion të vendosjes së qetësisë në shoqërinë së Kosovës me një ndikim të drejtpërdrejtë në gjithë rajonin që duhet të ketë vetëm një pikë referimi, integrimin euroatlantik në drejtimin e liderëve me vizione modernë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›