E Diel, 1 Nëntor 2026

“Investimet e Qeverisë, në çdo cep të vendit”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi të hënën në qytetin verior të Shkodrës, gjatë përurimit të një rruge, rikonstruktuar me fondet e buxhetit të shtetit, se Qeveria është e kudogjendur për sa u përket investimeve. I shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zëvendëskryeministri Genc Pollo, ministri i Arsimit, Fatos Beja, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, etj, Kryeministri mori pjesë në përurimin e rrugës Nënë Klea në qytetin e Shkodrës, me vlerë 38 milionë lekë, e cila urbanizon një lagje dhe kthen normalitetin në një vend që ka pasur probleme serioze. “Falë përpjekjes sonë për modernizimin dhe ndërtimin e një infrastrukture sa më të përshtatshme për qytetarët, ne inauguruam edhe këtë rrugë, me vlerë 38 milionë lekë", - tha Kryeministri, i cili duke iu referuar vizitës që zhvilloi një ditë më parë në qarkun e Korçës, gjatë së cilës u përuruan 10 vepra, kryesisht shkolla dhe rrugë, me fonde të buxhetit të shtetit, cilësoi se “siç e shihni, për investime kjo qeveri është e kudogjendur”. “Ne ishim dje në Ponçar dhe inaugurimi i fundit që u bë atje ishte sistemi i vaditjes dhe kullimit, ndërsa sot po inaugurojmë rrugën e Shkodrës dhe më pas do të inaugurojmë shkollën, dhuratë e qeverisë austriake, një gjë shumë e veçantë dhe shumë e bukur për të gjithë veriun”, - tha ndër të tjera kryeministri Berisha. Po dje ai përuroi punimet e rezervuarit të ujësjellësit në lagjen “Tepe” në këtë qytet, një investim prej 7 milionë eurosh i qeverisë austriake. Duke falënderuar qeverinë austriake për këtë investim, kryeministri Berisha vlerësoi punonjësit dhe inxhinierët për zbatimin e këtij projekti. Po dje, ai përuroi dhe shkollën e mesme “Peter Mahringer”, e cila është financuar nga qeveria austriake, me vlerë 1 milion e 500 mijë euro. Duke falënderuar qeverinë austriake për investimet, kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria po ndryshon dhe qeveria austriake po jep kontributin e saj të çmuar për këtë ndryshim. “Austriakët kanë dëshmuar besim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe pikërisht për këtë arsye në Shqipëri operojnë kompanitë më të mëdha austriake si “Austrian Airlines”, “Siemens”, “Reiffeisen Bank” dhe shumë e shumë kompani të tjera, për të cilat ne jemi shumë krenarë dhe u jemi shumë mirënjohës. Por shkolla ka një rëndësi të madhe”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›