E Diel, 1 Nëntor 2026

“Do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend të sigurt”

Autori i Lajmit: red.
Pas pushimeve të verës, Kuvendi i Shqipërisë nisi seancën e parë plenare për sesionin e 7-të Legjislaturës XVII të Kuvendit të Shqipërisë. Në fjalën e hapjes së punimeve të këtij sesioni parlamentar, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, rikujtoi ftesën për anëtarësim në NATO dhe reformat e arritura. Sipas Topallit, ky sesion parlamentar duhet të shërbejë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të sigurt. “Së bashku do të bëjmë që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Së bashku po punojmë për një kod zgjedhor që do të jetë baza më moderne ligjore. Unë kam besim se ky parlament ka vullnetin e duhur për të mbyllur kodin elektoral. Parlamenti është kthyer në arenën e diskutimeve dhe vendimeve më profesionale dhe do të vazhdojmë të sulmojmë problemet dhe të bëjmë që shqiptarët të lëvizin pa viza”, - tha Topalli në fjalën e hapjes së seancës së parë parlamentare në këtë sesion. Ajo veçoi reformat e thella të miratuara me konsens nga Kuvendi, që luajtën një rol themelor në vendimin e 26 vendeve, anëtare të Aleancës, në Samitin e Bukureshtit. “Por këto 26 vende që votëbesuan Shqipërinë dhe reformat tona, presin nga ne, që me reforma të tjera, të thella, të miratojnë anëtarësimin e plotë në Samitin e ardhshëm”, - tha ajo. I nisur zyrtarisht një javë më parë me veprimtarinë në komisionet e përhershme kuvendore, parlamentarët në këtë sesion të vjeshtës do të vijojnë tashmë punën normalisht me mbledhjet dy herë në javë të seancave plenare. Ky sesion shihet si më i rëndësishmi për mazhorancën, pasi pritet të realizohet Reforma Zgjedhore, si dhe paketa e plotë ligjore për Reformën në Drejtësi, ndërkohë që opozita ka shumë rezerva për këto projektligje.

Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›