Italia, më pranë zgjedhjeve të parakohshme
Silvio Berluskoni kërkon edhe një herë zgjedhje të menjëhershme. Lideri i opozitës italiane, tha dje se nuk i mbështeste përpjekjet për të formuar një qeveri të përkohshme që do të rishikonte ligjin për zgjedhjet dhe me këtë qëndrim të tijin, dalja në votime, tani duket e pashmangshme. "Ne shpresojmë dhe mendojmë se kjo do të ndodhë, se pas këtyre konsultimeve Presidenti i vendit do të thërrasë zgjedhjet e menjëhershme, pasi vendi ka nevojë të shpejtë për një qeveri eficente që të zgjidhë problemet e tij të mëdha". Berluskoni, i cili ka qenë dy herë Kryeministër dhe aleati i tij kryesor konservator, Xhanfranko Fini, u takuan dje me kryetarin e Senatit, Franko Marini, në fazën përfundimtare të bisedimeve të kërkuara nga Presidenti për të arritur një mbështetje për reformën elektorale. Nëse bisedimet do të ishin të suksesshme, Presidenti Xhorxhio Napolitani do t‘i kërkonte Marinit të formonte një qeveri të përkohshme, e cila do të mbikëqyrte këto ndryshime. Por qendra e djathtë, e cila po parandien një kthim të shpejtë në pushtet, pasi lideri i qendrës së majtë, Romano Prodi, dha dorëheqjen më 24 janar, ka këmbëngulur në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe ka thënë se reforma mund të presë. Vetë Prodi duket pesimist rreth shanseve të Marinit, 74 vjeç, anëtar i qendrës së majtë, i cili pritet t‘i raportojë Napolitanos në fillim të kësaj jave. "Ne mbështesim përpjekjet e Marinit, por qëndrimi i Berluskonit do të jetë vendimtar", tha Prodi, tashmë Kryeministër në detyrë. "Deri tani ai ka qenë i vendosur dhe vazhdon të kërkojë zhvillimin e zgjedhjeve". Ndërkohë, një tjetër propozim erdhi dje nga lideri i qendrës së majtë italiane, Valter Veltroni, i cili kërkoi ngritjen një qeverie tranzicioni për tre muaj, kohë e mjaftueshme kjo për miratimin e një ligji të ri zgjedhor. Veltroni tha se e kishte paraqitur këtë kërkesë në përfundim të takimit të tij me kryetarin e Senatit, Franko Marini. "Tre muaj, jo 30 vjet, ose do të kemi sërish një shans të humbur për Italinë", tha kryetari i Bashkisë së Romës dhe shef i Partisë së Re Demokrate, formacioni më i madh i të majtës. "Shpresoj të ekzistojë ende një mundësi manovrimi", deklaroi Veltroni, ndërsa lideri i të djathtës, Silvio Berluskoni, kishte kërkuar kthim të menjëhershëm në zgjedhje. Në mbështetje të kërkesës së tij, Veltroni përmendi rrezikun e kthimit të vendit në një vend "të paqeverisshëm" në rast zgjedhjesh me ligjin aktual, që favorizon partitë e vogla dhe fragmentarizimin e shumicave. Ai shprehu besimin e tij në "urtësinë" e kryetarit të shtetit, Xhorxhio Napolitano, që duhet të marrë një vendim mbi një shpërndarje të mundshme të Parlamentit. Tratativat e Marinit, i ngarkuar me gjetjen e një konsensusi mes partive lidhur me reformën zgjedhore, përfunduan mbrëmjen e djeshme. Tani, ai do të raportojë para Presidentit Napolitano dhe ky i fundit, në kushtet e mosarritjes së një marrëveshjeje, duket i destinuar të shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme.