E Diel, 1 Nëntor 2026

Mishel Obama, një "Zonjë e Parë" e etur për ndryshim

Fushata e egër e Mishel Obamës është krejt në kontrast me faktin se ajo hezitoi shumë të përfshihej në udhën e nisur nga bashkëshorti i saj drejt Presidencës së SHBA-së. Mishel thotë se ajo asnjëherë nuk ka tentuar të ngjitej në një podium dhe që andej të shpalosë virtytet e të shoqit, por ajo po entuziazmon turmat duke u thënë se ai është kandidati demokrat që ofron edhe opsionin më të mirë për ndryshim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Jam shumë e etur për ndryshim në vendin tonë dhe kjo është ajo që ju do të shihni në rast se Baraku do të fitojë", thotë avokatja 44-vjeçare nga Çikago, që ka studiuar në Princeton dhe Harvard. Gruaja që mund të bëhet e para Zonjë e Parë, me ngjyrë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse bashkëshorti i saj fiton Shtëpinë e Bardhë, ka lënë pas dore punën e saj si zëvendëspresidente e marrëdhënieve me komunitetin në universitetin "Çikago Hospitals", për t‘iu bashkuar fushatës. Ajo kalon sa më shumë kohë që mundet me vajzat e saj, Malia, 9 vjeç dhe Sasha, 6 vjeç. Ajo do të jetët e tyre të mbeten normale edhe pse është e detyruar t‘i bashkëngjitet fushatës për periudha relativisht të gjata. Edhe pse i bashkohet të shoqit, 46-vjeçarit Barak Obama, në mitingjet kryesore, ku ajo është shumë popullore, Mishel Obama, ka edhe axhendën e vet, zakonisht më të kufizuar, por gjithsesi, plot takime me njerëz. "Jam me të vërtetë e shqetësuar për faktin se mund të mos bëjmë zgjedhjen e duhur", thotë ajo. "Dhe unë do të bëj gjithçka që mundem në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë se çfarë është në lojë". Barak Obama flet shpesh për të. Në fjalimet e tij në fitoret, në zgjedhjet më të fundit paraprake, ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë "dashurinë e jetës" së tij dhe "shtyllën e familjes Obama". Në këmbim, Mishel Obama merr brohoritje të zjarrta kur shfaqet në skenë bashkë me të shoqin dhe shpesh, teksa e prezanton atë, thotë: "Ai do të jetë Presidenti më i mirë që ne kemi parë prej shumë kohësh". Në një intervistë dhënë të hënën, Mishel Obama u pyet nëse ajo do të mbështeste senatoren Hillari Klinton nëse ajo do të fitonte nominimin e demokratëve. "Duhet të mendohem për këtë", tha ajo. "Duhet të mendoj për politikat e saj, për qëndrimin dhe tonin e saj". Mishel Obama ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Princetonit, ku ajo ka marrë një diplomë në sociologji. Më herët, ka ndjekur Fakultetin e Drejtësisë në Harvard dhe ka punuar si avokate në një firmë në Çikago. Pikërisht atje ajo takoi Barakun, në 1988-ën. Edhe pse është tre vjet më i madh, ai ka kaluar shumë vite duke punuar si një organizator komuniteti para se të niste studimet në Fakultetin e Drejtësisë. Si avokate e re, Mishela ishte emëruar këshilltare e tij. Ata filluan të dilnin bashkë dhe më pas, në 1992-shin, u martuan. Obama gjithnjë thotë se ai është me fat që bashkëshortja e tij nuk kishte menduar asnjëherë të kandidonte. Në librin e tij, "The Audacity of Hope" ("Forca e Shpresës"), ai shkruan: "Nëse unë do të isha detyruar ndonjëherë të kandidoja kundër saj për një post publik, do të më kishte mundur pa as më të voglën vështirësi".

Bashkëshortet dhe bashkëshortët e kandidatëve kanë luajtur një rol të rëndësishëm në fushatën elektorale për presidencialet e 2008-ës

Demokratët

Bill Klinton

61-vjeçari që ka shpenzuar dy mandate si President në Shtëpinë e Bardhë, është më i njohuri mes atyre që mund të konsiderohen njerëzit më të afërt të pretendentëve presidencialë. Ai është në gjendje të mbledhë turma të mëdha, por gjithashtu ka luajtur edhe një rol negativ duke u vënë pothuajse gjatë gjithë fushatës në një pozicion agresiv. Kritikat e ashpra të tij kundër rivalit të bashkëshortes, Barak Obamës, e detyruan Hillari Klintonin të kërkonte ndjesë dhe të përballej me zemërimin e disa prej liderëve demokratë. Shumë fansa të Klintonit e shikojnë kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë si një aset, por për kritikët, ai risjell në mendje kujtimin e një presidence të shënuar nga skandalet. Klintoni ka bërë shaka me faktin se po quhet "Zonjë e Parë" në rast se bashkëshortja e tij zgjidhet, por thotë se ai garon për "Zotërinë e Parë". Nëse bashkëshortja e tij fiton, Klinton tha se do të vazhdojë punën e tij të bamirësisë.

Mishel Obama

Avokatja nga Çikago, e edukuar në Harvard, fillimisht hezitoi të angazhohej në fushatën elektorale të të shoqit, por tani mbledh turma të mëdha edhe në takimet ku merr pjesë e vetme. Mishel Obama, 44 vjeç, është shkëputur përkohësisht nga puna e saj si zëvendëspresidente e marrëdhënieve me komunitetin në universitetin "Çikago Hospitals" për t‘iu bashkuar fushatës së bashkëshortit të tij dhe ashtu si ai, ka një dhunti të lindur mbledhjen e njerëzve dhe ndezjen e mbështetësve. Mishele Obama thotë se prioriteti i parë i saj, nëse bëhet Zonjë e Parë, do të jenë dy vajzat e saj të vogla, por ajo shpreson edhe të fokusohet edhe te fakti se si gruaja mund të mbajë një balancë punë-familje.

Republikanët

Sindi MekKein

E lindur në Arizona, nënë e katër fëmijëve, kryeson edhe biznesin e familjes, një kompani shpërndarëse birre. Sindi është goditur nga një atak në 2004-ën dhe është treguar e sinqertë duke mos fshehur varësinë e saj në të shkuarën nga qetësuesit. Ajo ka punuar për disa organizata bamirëse ndërkombëtare dhe është fokusuar mbi të gjitha në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. Një prezencë e këndshme për syrin, është shfaqur kudo përkrah të shoqit Xhon MekKein, shpesh e ka prezantuar vetë në takime e mitingje e madje i ofron herë pas here të shoqit edhe material për shaka e anekdota. Gjatë bisedave të shpeshta të MekKeinit me gazetarët, në autobusin e fushatës, ajo ndërhyn me raste dhe shpreh mendimet e opinionet e saj. Nëse bashkëshorti i saj do të bëhet President, Sindi MekKein thotë se ajo do të pëlqente të vazhdonte punën e saj si vullnetare dhe do t‘i kërkonte edhe të tjerëve të ndiqnin shembullin e saj.

An Romnej

Romnejt u takuan në shkollën mesme, ishin të dashur në shkollën e lartë dhe shumë shpejt u martuan. An Romnej, 58 vjeç, është diagnostikuar me sklerozë të shumëfishtë në 1998-ën dhe ka punuar për të rritur ndërgjegjësimin për këtë sëmundje, si edhe për të mbledhur para për kërkime. Ajo ka koordinuar kështu gjithçka, aktivitetin, sëmundjen etj., me rritjen dhe edukimin e katër djemve të saj, në një kohë kur bashkëshorti vazhdonte karrierën e tij. E kudondodhur gjatë fushatës së të shoqit, An Romnej kalon pjesën më të madhe të kohës në takime e podiume, duke folur si ai. An Romnej beson shumë tek organizatat që në themel kanë besimin dhe punon për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›