E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompanitë e naftës, dinozaurët e vërtetë

Sekretari i Përgjithshëm i OPEC-ut, Abdalla Salem El-Badri, flet mbi rreziqet e një rritjeje të mëtejshme dramatike të çmimeve të

naftës, dështimet e kompanive shumëkombëshe të naftës, si dhe diskutimet brenda kartelit të vendeve eksportuese për të bërë tregti në euro dhe jo në dollarë

Z. Sekretar i Përgjithshëm, çmimi i një fuçie nafte arriti në 100 dollarë për herë të parë në fillim të janarit. Ndërkohë që konsumatorëve u bie barra e çmimeve të larta, prodhuesit janë duke mbushur xhepat. A festuat atë ditë ju të OPEC-ut?

El-Badri: Jo, përse do të duhej? Ne jemi të interesuar të kemi

çmime të arsyeshme. Duam stabilitet. Veç kësaj, çmimi mesatar për fuçi ishte 69 dollarë vitin që kaloi. Vetëm një sasi shumë e vogël nafte u shit me një çmim mbi 100 dollarë dhe kjo për një kohë shumë të shkurtër. Është bixhoz. Një tregtues i vetëm i bëri keq llogaritë dhe si rezultat, humbi para.

Jeni duke nënvleftësuar një zhvillim dramatik, i cili

ka shqetësuar të gjithë botën. Çmimi i naftës është katërfishuar

në katër vite dhe vitin e kaluar u rrit me 57%, një shifër alarmuese. Ekspertët në Institutin Gjerman të Kërkimeve Ekonomike besojnë se ka gjasa të ketë një rritje çmimi drejt 200 dollarëve për dhjetë vjet. E kundërshtoni këtë?

El-Badri: Çmimi i naftës duhet të bazohet pikësëpari në kërkesën

dhe ofertën. Nëse ndodh kështu, një rritje drejt 200-dollarëshit

nuk ka gjasa të ndodhë. Por, kur faktorë të tjerë luajnë rol, si

spekulantët apo forcat gjeopolitike...

...Me fjalë të tjera, luftërat në vendet prodhuese, apo lloji i trazirave që po ndodh aktualisht në Nigeri...

El-Badri: ...Ky është interpretimi juaj. Kemi edhe rënien e dollarit kundrejt euros, apo mangësitë e krijuara në përpunimin e naftës në SHBA. Në këtë rast, mund të shohim çdo lloj çmimi.

SPIEGEL: Megjithatë OPEC-u është akuzuar se ka nxitur rritjen

e çmimeve. A nuk mendoni se çmimi 100 dollarë për fuçi dëmton

reputacionin e OPEC-ut?

El-Badri: Përse duhet ta dëmtojë reputacionin tonë? Kam një

propozim: Ne të OPEC-ut do t‘ju japim juve të ardhurat nga nafta

e vendeve anëtare dhe ju, në këmbim, na jepni paratë që fitoni

nga taksat mbi produktet e naftës. Do të ishte një marrëveshje e

drejtë, apo jo?

Nuk mund ta bëjmë. Por gjithashtu, nuk jemi krejt të sigurt që ministrat e Financave të vendeve të mëdha do të ishin

dakord me këtë lloj marrëveshjeje.

El-Badri: E shihni? Për shumë prej vendeve tona anëtare, nafta

është burimi i vetëm i të ardhurave dhe për këtë arsye kemi nevojë për një çmim të drejtë.

Çfarë do të thotë kjo? Dy vjet e gjysmë më parë, ne folëm

me Adnan Shihab-Eldin, paraardhësi juaj në krye të OPEC-ut.

Ai përmendi një çmim 50-60 dollarë. Ju vetë thatë në nëntor

se nuk ka prova që të tregojnë se do të arrihet në pragun e rëndësishëm psikologjik prej 100 dollarësh.

El-Badri: Nuk kam një sens konkret të çmimeve të synuara. Ne në OPEC nuk duam ekstreme, çmime që janë shumë të larta apo shumë

të ulëta. Ajo që ne duam është një çmim i qëndrueshëm. Kjo do të

ishte në dobi të prodhuesve dhe konsumatorëve. Por, siç thashë,

këtë e vendos tregu.

Një treg mbi të cilin ju nuk keni ndikim deciziv? A ka

humbur kaq shumë pushtet OPEC-u, organizata e cila diktonte

çmimet në vitet ‘70 e ‘80 dhe që madje e ka përdorur naftën si një armë politike, gjatë luftës së Jom Kipurit për shembull?

El-Badri: Ne i diktuam gjërat vetëm për një periudhë të shkurtër

në histori. Ato kohë kanë ikur tashmë. Vendet që i përkasin OPEC-ut aktualisht ofrojnë 40 për qind të naftës që konsumohet në botë. Nuk mund të thuash se ne kontrollojmë me të vërtetë tregun.

Por OPEC-u mund të ushtrojë ndikim, duke ulur apo zgjeruar prodhimin.

El-Badri: Kjo është e vërtetë. Duke filluar nga viti 2004, ne rritëm prodhimin me afro 5 milionë fuçi në ditë, deri në fund të vitit 2006. Më pas ulëm prodhimin me 1.7 milionë fuçi, kur kuptuam se çmimi ishte shumë i ulët. Ishte një vendim shumë i mirë, sa i përket OPEC-ut.

Nuk mund të mohoni se rezervat janë të kufizuara.

A e kemi parë "pikun e naftës", nivelin maksimal të prodhimit të naftës që mund të arrihet, përpara se rezervat të fillojnë të bien?

El-Badri: Jo, nuk mendoj. Gjithashtu nuk besoj se do të mbërrijmë

në këtë pikë në të ardhmen e afërt.

Ekspertët jashtë OPEC-ut kanë një këndvështrim më pak optimist për të ardhmen tonë energjetike.

El-Badri: Ndoshta. Por unë besoj se, edhe nipërit tuaj do të kenë sasi të mjaftueshme prodhimesh nafte. Sigurisht, një fund do të ketë. Por jam i bindur se nuk do të jetë në 100 vitet e ardhshme.

Edhe ju jeni pro braktisjes së praktikës së tregtimit në dollarë, siç kanë kërkuar Venezuela dhe Irani?

El-Badri: Euro është aktualisht monedha më e fuqishme

e botës. Mund të bëhet një ndrysim, po do të duhet pak kohë.

Dollarit iu deshën shumë vite për t‘u bërë monedha dominuese në biznesin e naftës. Por në të ardhmen nuk do të jetë aq e vështirë për të ndryshuar.

Angola dhe Ekuadori janë pranuar si anëtarë të OPEC-ut vitin që kaloi. A duhet të hyjë edhe Rusia?

El-Badri: Ne nuk trokasim në derën e askujt.

Por a nuk do të donit që Moska të trokasë në derën

tuaj? Me rusët në kartel, me rezervat e tyre shumë të mëdha,

a nuk do të qe OPEC-u në gjendje të vendoste çmimet?

El-Badri: Edhe një herë, ne nuk duam të diktojmë asgjë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka ide të tjera. Vitin që kaloi, ai e quajti idenë e një karteli për gazin natyror "një ide shumë interesante". Ai ka nisur tashmë të promovojë këtë koncept në Iran, Katar dhe Algjeri. A jeni i shqetësuar për këtë lloj "kundër-OPEC-u" dhe a mendoni se ka potencial?

El-Badri: Ky lloj organizimi mund të jetë një opsion në terma afatgjatë, por prodhuesit e gazit janë të lidhur me marrëveshje furnizimi, disa madje për 30 vjet, nuk është si nafta. Por ne në OPEC nuk e shohim këtë si kërcënim.

Si ndiheni për një ridalje në skenë në nivel ndërkombëtar të energjisë bërthamore? A i përket energjia bërthamore miksit energjetik të vendeve të industrializuara?

El-Badri: Sa kohë që garantohet siguria, përse jo?

Nuk jeni i bindur që impiantet moderne të energjisë

bërthamore janë të sigurta?

El-Badri: Është një teknologji shumë, shumë e rrezikshme. Siç e kemi parë në rastin e Chernobylit, qoftë edhe një aksident i

vetëm mund të ketë efekte shkatërrimtare.

E megjithatë, vende të pasura në burime natyrore, si Irani dhe Libia, vendlindja juaj, po investojnë shumë në teknologji bërthamore. Tripoli sapo ka bërë një porosi te francezët për ndërtimin e një impianti bërthamor.

El-Badri: Përpara se të sjellë dobi për Libinë kjo teknologji, duhet që vendi të trajnojë shumë specialistë dhe do të kërkojë goxha transferim teknologjie.

Të mërkurën e kaluar, Presidenti Bush praktikisht

lëshoi një ultimatum për OPEC-un që të rrisë vëllimin e prodhimit, gjë që do të ulte çmimet. A do të përmbushni kërkesën e tij në takimin e radhës të OPEC-ut?

El-Badri: Problemet që shohim aktualisht në SHBA nuk

kanë fare të bëjnë me OPEC-un. Amerikanët kanë lënë shumë

pas dore gjithashtu edhe në drejtim të përpunimit. Kanë investuar shumë pak në kapacitetet përpunuese gjatë 30 viteve të fundit. Konsumojnë 21 milionë fuçi në ditë, por janë në gjendje të përpunojnë vetëm 17 milionë. Edhe nëse hedhim më shumë naftë në tregun amerikan, ata nuk kanë kapacitet ta përpunojnë.

Po thoni se nuk do të merren vendime në lidhje me këtë propozim?

El-Badri: Nuk e thashë këtë. Ne po e analizojmë me kujdes

tregun, përditë. Nëse konkludojmë se do të jetë e nevojshme, ministrat tanë nuk do të hezitojnë të rrisin prodhimin. Por për momentin nuk e gjykojmë të nevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›