Shtohet lista, edhe Greqia bëhet gati të njohë pavarësinë e Kosovës
Shtohen përditë e më shumë vendet që pritet ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo listë nuk vjen thjesht nga ato shtete që kanë qenë përkrahëset e flakta, por edhe nga kundërshtaret e zjarrta. Një gjë e tillë po ndodh edhe me Greqinë, e cila është një nga aleatet më të vjetra të Serbisë. Një nga gazetat më të mëdha dhe prestigjioze të Athinës "Ta Nea", e përditshmja pranë opozitës socialiste thekson se Greqia do të vendoset për një hap të këtillë, njësoj si edhe anëtaret e vjetra të Bashkimit, të cilat pritet ta pranojnë Kosovën pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Sipas burimeve diplomatike të gazetës, autoritetet greke që në dhjetor janë pajtuar me dërgimin e misionit evropian në Kosovë, si zëvendësim për zhvillimin e volitshëm të kontestit me emrin. Qëndrimi i ministres greke të Punëve të Jashtme, Dora Bakojani, është se qëllimi i politikës greke është vendim i përbashkët i BE-së rreth çështjes së Kosovës, shton gazeta.
Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga serbët e Kosovës, si dhe nga ata që janë refugjatë në Serbi, që të kthehen dhe të jetojnë nëpër shtëpitë e tyre. Këto komente Kryeministri Thaçi i bëri pas një vizite që i bëri fshatit Rubovc të Komunës së Lipjanit, në të cilin jeton një popullatë e përzier etnike. Gjatë kësaj vizite në këtë fshat, Kryeministri Thaçi ka qëndruar në familjen e Sllavisha Sllavkoviqit, ku është interesuar për gjendjen e kësaj familjeje dhe të banorëve të tjerë serbë të Rubovcit. Me këtë rast familjes Sllavkoviç i ka premtuar si ndihmë një traktor dhe përmirësimin e kushteve të banimit. Thaçi, duke falënderuar këtë familje për mikpritjen, ka thënë se qeveria e Kosovës është adresa e vetme e zgjidhjes së problemeve dhe se ai do të mbetet i përkushtuar që të punojë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, duke shtuar më tej se Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë nacionale. "Unë do të jem pranë të gjithë qytetarët pa dallim për të mirën e vendit tonë, të Kosovës tolerante, demokratike dhe të integruar më vonë edhe në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO", tha Thaçi. Kryeministri u ka bërë thirrje të gjithë të zhvendosurve në Serbi dhe Mal të Zi që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre në Kosovë. "Kosova është vendi i të gjithëve, në të cilin do të punojmë të gjithë bashkërisht dhe duhet të fokusohemi për të ardhmen dhe asesi të mos mbetemi peng i së kaluarës sonë të hidhur. Kosova po ndërton rendin demokratik, tolerancën ndëretnike me synime të qarta dhe për zhvillim ekonomik", ka thënë mes tjerash Kryeministri Thaçi gjatë vizitës në Rubovc të Komunës së Lipjanit. Grupi punues për hartimin e Kushtetutës ka përfunduar javën e parë të diskutimeve me qytetarë nëpër komunat e Kosovës dhe do të vazhdojë të vizitojë edhe komunat e tjera deri në datën 8 shkurt, kur edhe do të përmbyllë fazën e parë të fushatës për informim publik të grupit punues për hartimin e Kushtetutës.