Kryeparlamentarja thërret deputetët diplomatë
Statusi i Kosovës dhe njohja e tij nga Shqipëria ndër vendet e para, ka qenë temë e një takimi pune mes Kryetares së Parlamentit, Topalli, dhe deputetëve Kastriot Islami, Paskal Milo dhe Preç Zogaj. Sipas kryetarit të Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj zgjedhja e Tadiç si President i Serbisë nuk ndikon për të vonuar çështjen e statusit të Kosovës, sepse janë çështje të shkëputura. Procesi i pavarësisë së Kosovës, tha ai, është një proces i cili ka historinë e vet, kurse zgjedhjet në Serbi janë një rutinë. "Por në rastin konkret kishin një rëndësi, sepse në një farë mënyre u bë edhe një lloj ndarje, midis një Serbie që shikon nga Perëndimi dhe një Serbie që shikon nga Lindja", tha Zogaj. Ne, ka theksuar më tej kryetari i Komisionit të Jashtëm, si vend fqinj, kemi dëshiruar dhe dëshirojmë që Serbia të bashkohet me konceptim e Evropës së re. "Ne e dimë që Kosova është në metrat e fundit. Komuniteti ndërkombëtar dhe Perëndimi janë të përgatitur për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe ne shpresojmë që në një farë mënyre do ta njohë edhe Serbia. Kjo është rruga më e mirë për të lënë pas të kaluarën", tha ai. Natyrisht që Shqipëria do të jetë në grupin e vendeve të para që do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe kjo nuk ka asnjë dyshim, por vendimi do të jetë i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.