E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA dhe Britania ndezin motorët për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe pritet që të jenë të parat që do ta njohin pavarësinë e Kosovës, ndaj kanë nisur një konsultim diplomatik. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, është nisur për në Londër për t‘u takuar me Kryeministrin Gordon Braun dhe ministrin e Jashtëm britanik, David Milliband. Në takimin e sotëm me zyrtarët e lartë britanikë zonja Rajs do të diskutojë për Afganistanin, Irakun, Iranin, por në veçanti për Kosovën. Uashingtoni dhe Londra janë promotorët e procesit që pritet të finalizohet së shpejti.

Departamenti i Shtetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përshëndetur rizgjedhjen e Boris Tadiçit për President të Serbisë, duke vlerësuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve në një atmosferë të qetë dhe pjesëmarrjen në numër mjaft të madh të votuesve, ndërkohë që kanë ritheksuar se kjo nuk do të ndikojë në ndryshimin e qëndrimit të Uashingtonit ndaj Kosovës. "Këto zgjedhje kishin implikime të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë. Ne me kënaqësi do të vazhdojmë përpjekjet e ndërtimit të marrëdhënieve produktive me Serbinë në fushat e interesit të përbashkët", ka thënë në reagimin e parë amerikan pas rezultatit të zgjedhjeve zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon Mekormak. Zëdhënësi edhe kësaj radhe ka ritheksuar qëndrimin e pandryshuar të Shteteve të Bashkuara lidhur me mbështetjen e planit Ahtisari dhe pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. "Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj statusit përfundimtar të Kosovës mbetet i pandryshuar", ka thënë

Mekormak. Zëdhënësi i politikës së jashtme amerikane ka thënë gjithashtu se Uashingtoni do të bashkëpunojë me Tadiçin në jetësimin e premtimit të tij për integrimet evropiane të Serbisë.

BE

"Bashkimi Evropian disa herë ka theksuar se Kosova është një shembull unik dhe ai nuk duhet të pranohet si precedent", ka deklaruar shefi i diplomacisë sllovene, Dimitrij Rupel në Tbilisi të Gjeorgjisë, nga e cila synojnë të shkëputen Abkazia dhe Osetia Jugore. Rupel është shprehur se BE ka zgjidhur çështjen e dërgimit të misionit të vet në Kosovë, që do të thotë se Unioni do të ofrojë ndihmë në zgjidhjen e problemeve, ka thënë ai. Rupel në Tbilisi ka shkuar në krye të një "treshe ministrore", në të cilën janë edhe komisionierja evropiane Benita Ferero-Valdner dhe përfaqësuesi i Francës, që në gjysmën e dytë të këtij viti do të kryesojë me BE-në. Ministri i Jashtëm i Gjeorgjisë, David Bakraxe, pas takimit me delegacionin e Brukselit ka thënë se përpjekjet që nga Kosova të krijohet precedenti për zgjidhjen e konflikteve të tjera "nuk i përgjigjen as Gjeorgjisë, as Rusisë, as Evropës në tërësi". "Kosova është rast i veçantë, unik, dhe kurrsesi nuk mund të jetë precedent për zgjidhjen e konflikteve të tjera", ka thënë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›