Janari, 166 lëvizje në merkato
Ashtu si ndodh gjithmonë kur hapet merkato e futbollistëve në kampionatin shqiptar, lëvizjet dhe ndryshimet kanë qenë të shumta. Në listën zyrtare të publikuar nga FSHF, vetëm në Kategorinë Superiore ka pasur 166 transferime lojtarësh (totali mes largimeve dhe afrimeve në klubet elitare). Megjithatë është vënë re një ndryshim total në tendencën e klubeve (të paktën atyre më të forta ekonomikisht) me lojtarët që kanë afruar. Mungojnë afrimet në masë nga Afrika, sepse preferenca kryesore kanë qenë futbollistët evropianë, të cilët e kanë edhe më të thjeshtë përshtatjen, ku Kosova e Maqedonia mbajnë vendet e para. Më pak të prekurat nga ndryshimet drastike në mes të sezonit kanë qenë Partizani dhe Shkumbini. Të kuqtë kanë regjistruar vetëm tri ndryshime, ku është afruar Xhaferri dhe janë larguar Progni e Doku. Mbetet ende enigmë çështja e sulmuesit të ri, Enco Malindi, që vazhdon të stërvitet te Slavia e Sofies, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga presidenti Xhani nuk "lëkundet" dhe vazhdon ta cilësojë lojtar të saj. Nga ana tjetër, Shkumbini ka bërë vetëm katër transferta: dy përforcime dhe dy largime. Bien në sy manovrat në merkato të skuadrave që mbyllin tabelën e klasifikimit, Skënderbeu dhe Besëlidhja, të cilat kanë ndryshuar totalisht nga pjesa e parë e sezonit, duke regjistruar nga 22 ndryshime secila (në radhët e korçarëve janë larguar 11 lojtarë e janë afruar po kaq të tjerë, ndërsa nga lezhjanët gjatë janarit ikën 10 futbollistë dhe u afruan 12).
Shumë aktive në merkato kanë prekur edhe skuadrat kryesore: ato që luftojnë për titull, ose të paktën për një vend në Kupat e Evropës. Nga Dinamo janë larguar tetë futbollistë, mes të cilëve sulmuesi i spikatur Sabino Plaku dhe janë federuar si pjesë e skuadrës po kaq të tjerë. Tirana ka blerë 6 lojtarë të rinj, ku megjithëse janari duhej të ishte merkato riparimesh janë shpenzuar miliona lekë dhe larguar 5, mes të cilëve edhe Dede, që aktivizohet në Kinë e Merkoçi e Abazaj (të dy të pezulluar në pjesën e parë të sezonit). Për të ngritur në renditje Elbasanin, trajneri Krenar Alimehmeti ka larguar 11 lojtarë dhe ka afruar 9 të rinj. Deri në këto momente lëvizja i ka dhënë të drejtë teknikut tiranas, pasi në barazimet me Tiranën dhe Dinamon (të dyja ndeshjet janë luajtur në Tiranë), verdheblutë janë dukur më konkurrues dhe janë afruar ndjeshëm me vendin e dytë. E fundit nga "big"-ët që nuk është kursyer në merkaton e dimrit ka qenë Vllaznia, që numëron 15 transferime: 8 të larguar dhe 7 të ardhur, mes të cilëve edhe mbrojtësi i kombëtares, Elvin Beqiri.
Lëvizjet
Skuadra Të ardhur Të larguar
Vllaznia 8 7
Flamurtari 5 8
Dinamo 8 8
Tirana 6 5
Elbasani 9 11
Besa 7 6
Shkumbini 2 2
Besëlidhja 10 12
Kastrioti 8 8
Teuta 6 5
Skënderbeu 11 11
Partizani 1 2