Bashkimi Evropian "kopjon" Shtetet e Bashkuara
Plani për marrjen e shenjave të gishtërinjve për të gjithë të huajt që vizitojnë Bashkimin Evropian ka ngjallur kritika në bllokun me 27 anëtarë. Brukseli kritikohet për faktin se po ndërton një bazë të dhënash gjigante me informacione personale, pa një strategji të qartë për ruajtjen e tyre. Komisioni Evropian kërkon që të merren shenjat e gishtërinjve të të gjithë të huajve që vizitojnë bllokun pa kufij të Evropës, ku bëjnë pjesë 24 vende, si pjesë e një serie masash për sigurinë e kufijve. Regjistri elektronik do të ishte i njëjtë me një politikë të adaptuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas sulmeve të 11 shtatorit në 2001-shin. Nëse qeveritë dhe ligjvënësit evropianë do të bien dakord me planin, sistemi i ri do të hynte në fuqi në 2015-ën. Komisioni Evropian thotë se skema, pjesë e një serie propozimesh për të luftuar terrorizmin, krimin e organizuar dhe migrimin e paligjshëm, nevojitet për të mbrojtur kufijtë e bllokut tani që udhëtarët mund të kalojnë nga njëri vend në tjetrin, pa kontrolle, mes 24 vendeve anëtare në zonën e zgjeruar të Shengenit. Duke folur për planin në Bruksel, komisioneri evropian për drejtësinë dhe sigurinë, Franko Fratini, tha se BE-ja duhej të përdorte teknologji të reja, të integruara, për t‘u bërë ballë kriminelëve dhe për të ndaluar emigracionin ilegal apo qëndrimet në bllok edhe pas skadimit të vizave. "Ne nuk mund ta lejojmë mafien apo trafikantët e terroristët të përdorin teknologji më të avancuar nga ajo e policisë sonë. Ndaj ne duhet të përmirësojmë kapacitetin dhe teknologjinë tonë", tha ai. Në një deklaratë të mëparshme, Fratini kishte theksuar se paketa sillte ide të reja për sa i takon kontrollit të kufijve nëpërmjet teknologjisë më të avancuar, me qëllim që të arrihen nivele të larta sigurie. Në një konferencë për shtyp, Fratini tha se BE-ja nuk kishte asnjë alternativë tjetër kur bëhej fjalë për kërcënimet terroriste, si pasojë e zgjerimit të zonës Shengen. Ai shtoi se propozimet ishin rezultat i kërkesave të vendeve anëtare për kontrolle më të forta pas zgjerimit të kufijve të zonës Shengen fundvitin e shkuar. Të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Britanisë së Madhe, Irlandës, Qipros, Rumanisë dhe Bullgarisë, janë pjesë e zonës pa kufij të cilës i përkasin edhe dy vende jo anëtare të BE-së, Norvegjia dhe Islanda. "Ne duam të jemi të hapur për njerëzit e ndershëm që vijnë nga jashtë Evropës, por ne duam të jemi edhe shumë të prerë e të qartë kundrejt grupeve mafioze, trafikantëve, kriminelëve e terroristëve. Për më tepër, ne nuk kemi alternativë tjetër, pasi jemi të detyruar të prezantojmë këtë vizion për shndërrimin e Evropës në një vend më të sigurt për vitet që do të vijnë, kjo për shkak të kërcënimit terrorist, për shkak të kriminalitetit apo rrjeteve pedofilike. Kjo është arsyeja përse ne jemi të detyruar të reagojmë", tha Fratini. Por, planet e reja të sigurisë kanë ndezur që tani kritikat, sipas të cilave Evropa nuk ka një strategji të qartë dhe thjeshtë po ndjek në mënyrë të verbër Shtetet e Bashkuara. Regjistri i hyrje-daljeve do të përfshinte gjurmët e gishtërinjve dhe fotot e të gjithë të huajve që hyjnë në zonën Shengen me të drejtë qëndrimi më shumë se tre muaj. Aty regjistrohet edhe koha dhe vendi i hyrjes, si edhe kohëqëndrimi i autorizuar. Automatikisht, autoritetet njoftohen nëse personi qëndron më gjatë nga sa i lejohet. Drejtuesit e BE-së thonë në 2009-ën do të dalin me një studim të plotë nëse kompanitë ajrore do të duhet të plotësojnë formularë në internet para se të fluturojnë në bllok. Strategjia e re gjithashtu mundëson që personat që udhëtojnë shpejt të aplikojnë për t‘u regjistruar si udhëtarë të sigurt dhe si pasojë të përfitojnë edhe lehtësira. Statusi i "udhëtarit të regjistruar" do të jepej vetëm pas kontrolleve nëse personi ka burime të mjaftueshme, ka një pasaportë biometrike dhe nuk qëndron asnjëherë më gjatë nga sa i lejohet në BE. Ndërkohë, për të siguruar grupet e të drejtave civile, të shqetësuar nga fakti që mblidhen kaq shumë të dhëna personale, të cilat mund të ndahen nga qeveritë nacionale thjesht duke pasur akses në bazën e të dhënave, Fratini tha se do të vendoseshin sanksione kriminale kundër keqpërdorimit të tyre. Britania e Madhe dhe Gjermania janë mes vendeve që aktualisht kanë një sistem të marrjes së gjurmëve të gishtërinjve për mbajtësit e pasaportave të reja. Ndërkohë, që në bazën aktuale të të dhënave, BE-ja aktualisht regjistron gjurmët e gishtërinjve të azilkërkuesve dhe planifikon të bëjë të njëjtën gjë për aplikantët për viza. Qytetarët e BE-së nuk do t‘i nënshtrohen detyrimit për lënien e gjurmëve të gishtave në regjistrin e ri, por thuajse të gjithë ata do të duhet ta bëjnë këtë për marrjen e pasaportave të reja. Në një tjetër masë sigurie të huazuar nga SHBA-ja, ministrat e Brendshëm të BE-së kanë dhënë mbështetjen në parim për një plan që i detyron kompanitë ajrore të sigurojnë të dhëna për pasagjerët, përfshirë edhe numrat dhe detajet e kartave të kreditit, si edhe adresat. Këto të dhëna do të ruheshin për 13 vjet.