Shën Valentini, miti i dashurisë mes legjendave
Ka ditë që festa e Shën Valentinit është mes të gjithëve. Edhe pse kalendari shënon sot 14 shkurt, java ka nisur me surprizat, idetë, rezervimet e festës, që shqiptarët preferojnë ta quajnë thjesht si dita e të dashuruarve. Indiferentë ndaj zanafillës së festës, ata më shumë i kënaqen programit personal të kësaj dite. E megjithatë, legjendat e mbartura në harkun e kohës nuk kanë humbur, ndonëse vijnë të larmishme me histori, që diku takohen e diku tjetër ngjashmëritë janë të rralla. Rrënjët e saj lidhen me ritet pagane.
Festa e të dashuruarve "mbahet mend" që në shekullin e katërt para Krishtit, ku romanët paganë përmes një riti vjetor i thurnin lavde Zotit Lupercus. Emrat e femrave dhe meshkujve që adhuronin këtë Zot bashkoheshin e trazoheshin në një tip lotarie. Çiftet që përzgjidheshin rastësisht duhej të jetonin për një vit në intimitet së bashku, derisa prej tyre të krijohej një fëmijë. Kështu riti i pjellorisë do të përmbushej. Vitin tjetër ceremonia do të kryhej sërish dhe gjithçka do të fillonte nga e para për të tjerë çifte të rinjsh. Gjithçka mori fund pas tentativave të Kishës Katolike që nuk e lejoi më popullsinë të vazhdonte këtë rit pagan të fertilitetit, që konsiderohet edhe si zanafilla e festës së të dashuruarve. Kështu etërit e Kishës, të vendosur për të mbyllur një herë e mirë traditën e vjetër, kërkuan një shenjt të të dashuruarve për të zëvendësuar Luperciusin e "turpshëm". Kështu gjetën një kandidat të mundshëm te Valentino, një prift, që ishte martirizuar rreth dyqind vjet më parë.
Një tjetër variant që të dashuruarit mund të mësojnë për festën e tyre të sotme është edhe ai që lidhet me Perandorin e çmendur romak Claudin II. Në vitin 270, prifti Valentin i Interamës (sot qyteti i Ternit në Itali), mik i të rinjve, u ftua nga Perandori që i kërkoi të hiqte dorë nga kjo nismë e çuditshme dhe të konvertohej sërish drejt paganizmit. Shën Valentini me dinjitet refuzoi të hiqte dorë nga besimi i tij dhe në mënyrë të pakujdesshme tentoi që ta konvertonte Klaudin II drejt Kristianizmit. Më 24 shkurt të vitit 270, Shën Valentini u dënua dhe u ekzekutua. Historia, nga ana tjetër, thekson se ndërsa Shën Valentini ishte në burg në pritje të ekzekutimit ai ra në dashuri me vajzën e verbër të gardianit Asterius. Por që me besimin e tij i riktheu mrekullisht shikimin vajzës dhe më pas i shkroi edhe një mesazh lamtumire: "I yti Valentino". Kjo frazë jetoi gjatë edhe pas vdekjes së autorit.
Mistika e zanafillës së kësaj dite që ne sot festojmë ka edhe një tjetër legjendë. Kur Perandori romak Klaudi II ishte në pushtet diku në treqindvjeçarin e parë të erës sonë, ai dha urdhër që askush nga ushtarët e tij të mos martohej. Perandori vendosi kështu pasi mendonte se martesa i pengonte ata të merrnin pjesë nëpër beteja. Këtë vendim e shkeli prifti Valentin, i cili në fshehtësinë më të madhe, nisi të nënshkruajë akte martesash. Ky ishte shkaku që ai u ekzekutua nga Perandori.
Në shenjë përkujtimi, banorët e qytetit ngritën një kishë në vendin ku u krye ekzekutimi i Shën Valentinit. Romakët, edhe pse më pas e përqafuan fenë e krishterë, vazhduan që ta festonin këtë ditë si të shenjtë. Megjithatë ata i ndryshuan kuptimin pagan nga "Dashuri hyjnore", në "Martirizim dashurie". Kjo nën pretendimin se siç thuhet Shën Valentini kishte dhënë jetën, pasi qe i pari nismëtar që thirri për paqe dhe dashuri. Më vonë, kjo festë, u quajt "Festa e të dashuruarve".
Legjenda e trëndafilit bashkues është një tjetër variant që lidhet me madhështinë e Shën Valentinit. Thuhet se një ditë, peshkopi Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit të tij, dy të rinj të fejuar që po ziheshin. Mori atëherë një trëndafil, doli nga kopshti dhe shkoi që t‘i takonte ata të dy. U ofroi trëndafilin, duke u thënë fjalë mbi pajtimin. Kaq mjaftoi për të mbyllur në çast grindjen mes dy të dashuruarve, që ashtu siç u tha shenjti, shtrënguan trëndafilin, duke u lutur derisa dashuria e tyre u bë e përjetshme. Pak kohë më vonë, të dy u kthyen te Valentino për t‘i kërkuar t‘u celebronte martesën...
Martiri kërkohej në raste fatkeqësie dhe epilepsie. Sa për titullin e "padronit të të dashuruarve" duket se i është atribuuar në Mesjetë, sepse dyshohej se më 14 shkurt, në ditën e festës së tij, zogjtë fillonin të cicëronin, duke ndjekur rizgjimin e natyrës dhe të dashurisë.
Në Britaninë e Madhe, Shën Valentini filloi të ishte një festë popullore rreth shekullit të 17-të. Nga mesi i shekullit të 18-të u kthye në një ritual të zakonshëm që miqtë dhe të dashuruarit e të gjitha sferave shoqërore të shkëmbenin dhurata të vogla apo letra me shkrim dore. Nga fundi i këtij shekulli, kartolinat e shtypura filluan të zëvendësonin ato të bëra me dorë, për shkak të përparimeve të teknologjisë. Në ditët e sotme mendohet se për këtë festë shiten rreth një miliardë kartolina, duke e renditur atë të dytën për sa i përket numrit të kartolinave të dërguara.
Dhe përhapja e gjerë e internetit dhe "pusullave" elektronike një modë kjo shumë e preferuar edhe në Shqipëri, duket se do t‘ia kalojë edhe ditës së ndërrimit të viteve.