Partizani, hap i gabuar në Kupë
Skënderbeu-Partizani 1-0
Çipi 8‘
Skënderbeu ka shënuar surprizën e ndeshjeve të para të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, pasi ka mundur me rezultatin 1-0 Partizanin, i cili pretendon për trofe. Korçarët kanë aktivizuar një pjesë të ekipit të dytë, ndërsa Lika u ka besuar titullarëve. Vendasit kanë shënuar që në minutat e para me anë të Çipit, duke u kthyer më pas në prapavijë për të mbrojtur rezultatin që i jep një avantazh minimal për ndeshjen e kthimit. Të kuqtë kanë shpërdoruar shumë para portës, ndërsa kanë parë t‘u anulohet një gol i shënuar nga Shkëmbi.
Shkumbini-Elbasani 2-0
Qorri 53‘, 60‘ (11m)
Dy skuadrat janë paraqitur në "derbin e prefekturës" me formacionet më të mira, por ka qenë ekipi vendas që ka imponuar ritmin e lojës. Qorri, Nora dhe Stojku kanë gabuar disa herë para portës së mbrojtur nga Toçi në pjesën e parë të ndeshjes të mbyllur në barazim pa gola. Por, në pjesën e dytë, Ilir Qorri ka arritur të kalojë në avantazh skuadrën me një goditje dënimi spektakolare, ndërsa më pas ka dyfishuar shifrat falë një 11-metërshi të fituar nga Stojku. Ky rezultat e bën shumë të vështirë kalimin në turin tjetër të Elbasanit.
Laçi-Tirana 1-1
Kashari 9‘ / Xhafaj 55‘
Skuadra e Laçit ka arritur të ndalojë në një barazim 1-1 bardheblutë e Tiranës, një prej skuadrave pretendente për fitoren e Kupës së Shqipërisë. Vendasit kanë kaluar në avantazh që në minutën e 9-të me anë të Kasharit, i cili ka shfrytëzuar gabimin e mbrojtjes problematike bardheblu. Ndonëse Mema kishte hedhur në fushën e lojës një pjesë të titullarëve, Tirana e ka pasur të vështirë të çajë prapavijën e ngjeshur të vendasve. Për të shpëtuar teknikun e bardhebluve nga një humbje e turpshme ka menduar Xhafaj, i cili ka vulosur barazimin në minutën e 55-të.
Luftëtari-Besa 1-1
Brahimi 48‘ / Progri 14‘
Besa ka marrë një barazim në fushën e vështirë të Luftëtarit në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Skuadra kavajase ka kaluar shumë shpejt në avantazh me anë të Progrit, ndërsa i është afruar disa herë golit të dytë gjatë pjesës së parë. Por, gjirokastritët kanë reaguar në pjesën e dytë dhe Brahimi ka arritur të barazojë shifrat falë një pakujdesie të portierit Dura. Megjithatë, kavajasit mbeten të avantazhuar, pasi do të luajnë ndeshjen e dytë në fushën e tyre.
Flamurtari-Kastrioti 1-1
Beqiri 47‘ / Abazaj 59‘
Kastrioti ka marrë një rezultat të rëndësishëm në Vlorë përballë Flamurtarit vendas, duke mbyllur në barazim 1-1 sfidën e parë mes dy skuadrave. Gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë, kur Beqiri ka kaluar në avantazh vendasit pas një goditjeje nga këndi. Skuadra krutane ka treguar përsëri se në këtë sezon mund t‘i krijojë probleme gjithkujt dhe me anë të Abazajt ka vulosur në minutën e 59-të rezultatin përfundimtar 1-1.
Turbina-Teuta 0-0
Takimi i luajtur në Cërrik mes Turbinës dhe Teutës ka qenë i vetmi që ka përfunduar pa gola mes ndeshjeve të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Vendasit janë paraqitur me formacionin më të mirë, por nuk kanë arritur të shënojnë ndaj skuadrës së drejtuar nga Mile, i cili ka marrë një rezultat që e ndihmon në kalimin e turit në këtë kompeticion.
Apolonia-Dinamo 0-1
Pejiç 41‘
Dinamo ka bërë detyrën në Fier përballë Apolonisë vendase, duke fituar me rezultatin minimal 1-0, për të hedhur një hap të sigurt drejt çerekfinaleve të Kupës. Bluve u ka mjaftuar goli i Pejiç në minutën e 41-të për të shënuar një fitore, që nuk e komplikon ecurinë e mëtejshme në këtë kompeticion, i cili ka rëndësi të veçantë për kualifikimin në Kupat e Evropës. Megjithëse Apolonia ka tentuar disa herë të vërë në baraspeshë shifrat, Kotorri ka konfirmuar formën e mirë që po kalon, duke bllokuar çdo gjuajtje në katërkëndorin e tij.
Besëlidhja-Vllaznia 0-1
Nallbani 43‘
Vllaznia ka fituar "derbin e veriut" me Besëlidhjen, duke siguruar një avantazh minimal për takimin e kthimit mes këtyre dy skuadrave në Shkodër. Vendasit kanë qenë më kërkues, duke iu afruar disa herë golit, por eksperienca e ekipit shkodran ka mbizotëruar dhe si rrjedhojë, Nallbani ka shfrytëzuar një nga rastet e pakta të krijuara nga kuqeblutë për të shënuar këtë gol të rëndësishëm në transfertë. Besëlidhja nuk ka arritur ta shfrytëzojë epërsinë numerike në pjesën e dytë, pas largimit me karton të kuq të Kaçit.