E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përjashtohet Tepelena pas dhunës së fundjavës

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka dhënë dënimin kapital për Tepelenën. Gjithçka pas episodeve të dhunës, të regjistruara gjatë fundjavës që sapo kaloi, në takimin ku tepelenasit kanë barazuar 1-1 në fushën e tyre me Pogradecin. Institucioni që drejton futbollin në vend vendosi që pas dhunës mbi gjyqtarëve dhe ndaj ekipit kundërshtar (policia ka qëlluar në ajër për të ndaluar grushtet dhe shkelmat e lojtarëve dhe tifozëve), që të përjashtojë klubin nga kampionati 2007/‘08 dhe nga çdo veprimtari tjetër zyrtare e këtij edicioni. "Pasi shqyrtoi relacionin e sektorit të garave, komisioni vendosi të përjashtojë KF Tepelenën nga kampionati 2007-2008 dhe çdo veprimtari tjetër zyrtare e këtij sezoni, për dhunën e ushtruar ndaj arbitrave në përfundim të ndeshjes me Pogradecin, si edhe për dhunën e ushtruar ndaj ekipit kundërshtar, për mosmarrje të masave të nevojshme të sigurisë, në bazë të neneve 4, 13, 19, 22 e 24 të Kodit të Drejtësisë Sportive". Ndëshkimet për këtë skuadër nuk kanë përfunduar me kaq, pasi pezullime afatgjata ka pasur edhe për trajnerin Selimi, zv/trajnerin Kasneci (ky i fundit mes të shoqëruarve në komisariat nga forcat e rendit) e tre futbollistë. "Për goditje me grusht e mjete të tjera të gjyqtarëve në ndeshjen Tepelena-Pogradeci, trajneri Ilir Selimi dënohet me një vit pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 100 mijë lekë gjobë. Zv/trajneri Fatmir Kasneci pezullohet me dy vjet dhe gjobitet me 100 mijë lekë. Lojtarët e KF Tepelena: Roland Gaba, Edison Merja e Geart Guga, për goditje me grushte e shkelma të gjyqtarëve, pezullohen secili me nga një vit dhe gjobiten me 100 mijë lekë", bën me dije relacioni i Disiplinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›