E Martë, 3 Nëntor 2026

TEHERAN – Pezeshkian: Irani i hapur për dialog me SHBA-në

UASHINGTON, 7 korrik /ATSH/ – Irani mund t’i zgjidhë mosmarrëveshjet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes dialogut, por besimi do të ishte një problem – pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj vendeve berthamore, tha presidenti iranian Masoud Pezeshkian, sipas “Reuters”.

“Unë jam i bindur se ne mund t’i zgjidhim shumë lehtë mosmarrëveshjet dhe konfliktet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes dialogut dhe bisedimeve”, tha Pezeshkian në një intervistë me gazetarin, Tucker Carlson.

Udhëheqësi iranian i kërkoi presidentit të SHBA-së Donald Trump të mos ndërhynte në luftë – i nxitur nga udhëheqësi izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ndodhet sot ne Uashington për bisedime.

“Presidenti Trump, është mjaft i aftë për të udhëhequr rajonin drejt paqes dhe drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe për ta vendosur Izraelin në vendin e tij”, tha ai.

Ai fajësoi Izraelin, armikun kryesor të Iranit, për dështimin e bisedimeve që ishin në proces, kur Izraeli filloi sulmet e tij ndaj Iranit më 13 qershor, duke filluar një luftë ajrore 12-ditore me Izraelin, në të cilën u vranë komandantë të lartë iranianë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Pezeshkian tha gjithashtu se Izraeli ishte përpjekur ta vriste atë.

“Ata u përpoqën. Ata vepruan në përputhje me rrethanat, por dështuan”, tha ai.

Izraeli nuk iu përgjigj menjëherë akuzës. Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit tha muajin e kaluar se Izraeli kishte vrarë më shumë se 30 zyrtarë të lartë të sigurisë dhe 11 shkencëtarë të lartë bërthamorë – në sulmin e tij ndaj vendeve bërthamore të Iranit.

Trump tha se priste të diskutonte me kryeministrin Netanyahu çështjen e Iranit dhe ambiciet e tij bërthamore, duke vlerësuar sulmet e SHBA-së ndaj vendodhjeve bërthamore iraniane si një sukses të jashtëzakonshëm.

Javen e kaluar, ai u tha gazetarëve se besonte që programi bërthamor i Teheranit ishte parandaluar përgjithnjë, megjithëse Irani mund të rifillonte përpjekjet diku tjetër. /Ad.Ab./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›