Trapatoni i thotë "po" Irlandës
Xhovani Trapatoni ka zgjedhur përfundimisht të ardhmen e tij, duke pranuar postin e trajnerit të përfaqësueses së Irlandës. Pas Anglisë që drejtohet nga Kapelo, një tjetër vend britanik i ka besuar stolin një tekniku italian, i cili do të ketë një detyrë shumë të vështirë, duke parë edhe formën aktuale të Kombëtares irlandeze. Kontrata e Trapatonit me Salcburgun përfundon në muajin maj, moment në të cilin ai do të kalojë menjëherë në drejtimin e Irlandës, e mbetur pa trajner që në nëntor, kur u shkarkua nga puna Stiv Staunton. Për trajnerin italian është bërë gati një kontratë katërvjeçare prej 1.4 milionë eurosh në sezon, që do t‘i japë atij përsëri mundësinë të kthehet në nivele të larta pas dy sezoneve të kaluara thuajse në anonimitet në Austri. Objektivi i Trapatonit do të jetë të ringjitë në maja Irlandën, duke u munduar ta kualifikojë në Botërorin e vitit 2010, ndonëse në grup ka skuadra të vështira, mes të cilave edhe Italia. Në stafin e tij do të bëjë pjesë edhe Klaudio Xhentile, i cili do të ketë rolin e asistentit dhe të zbuluesit të talenteve të futbollit irlandez.