E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOMENT – Trump: Do të jetë një vendim “i përbashkët” me Netanyahun për përfundimin e luftës me Iranin

UASHINGTON, 9 mars /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se vendimi për përfundimin e luftës me Iranin do të merret në mënyrë të përbashkët me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në një intervistë telefonike për “The Times of Israel” të dielën, Trump tha se vendimi për kohën e përfundimit të konfliktit do të ishte “i përbashkët”, megjithëse ai do të kishte fjalën e fundit.

Presidenti amerikan theksoi se Irani do ta kishte shkatërruar Izraelin nëse ai dhe Netanyahu nuk do të kishin bashkëpunuar.

“Irani do të shkatërronte Izraelin dhe gjithçka përreth tij… Ne kemi punuar së bashku. Kemi shkatërruar një vend që donte të shkatërronte Izraelin”, tha Trump gjatë intervistës.

I pyetur nëse vetëm ai do të vendoste për përfundimin e luftës apo nëse Netanyahu do të kishte rol në këtë vendim, Trump u përgjigj se vendimi do të merrej duke marrë parasysh të gjithë faktorët.

“Mendoj se është një vendim i përbashkët… kemi qenë në diskutime. Do ta marr vendimin në momentin e duhur, por gjithçka do të merret në konsideratë”, tha ai, duke lënë të kuptohet se kryeministri izraelit do të jepte mendimin e tij, ndërsa vendimi final do t’i takonte presidentit amerikan.

Trump u pyet gjithashtu nëse Izraeli do të vazhdonte luftën kundër Iranit edhe pasi SHBA-ja të ndalonte sulmet, por ai nuk pranoi të spekulonye për një skenar të tillë.

“Nuk mendoj se do të jetë e nevojshme”, tha ai.

Presidenti amerikan ka shmangur deri tani përcaktimin e një afati të qartë për përfundimin e luftës.

Megjithatë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi të premten se Uashingtoni pret që konflikti të zgjasë rreth katër deri në gjashtë javë.

Lufta mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, sipas raportimeve, nisi më 28 shkurt me një sulm të përbashkët që vrau liderin suprem iranian Ali Khamenei.

Intervista e Trump erdhi menjëherë pasi mediat shtetërore iraniane njoftuan se Asambleja e Ekspertëve kishte emëruar djalin e Ali Khamenei, Mojtaba Khamenei, si liderin e ri suprem të Iranit.

Më herët gjatë ditës, Trump tha për “ABC News” se lideri i ri i Iranit nuk do të zgjaste shumë,  nëse nuk kishte miratimin e Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, i pyetur për zgjedhjen e Mojtaba Khamenei, ai u përgjigj shkurt: “Do të shohim çfarë do të ndodhë”.

Thirrja për të falur Netanyahun

Presidenti amerikan bëri bujë në Izrael javën e kaluar duke e quajtur presidentin Isaac Herzog një “turp” për mosrespektimin e thirrjes së tij për të falur Netanyahun, i cili po gjykohet për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.

“Bibi Netanyahu duhet ta marrë atë falje menjëherë. Mendoj se është një gjë e tmerrshme që nuk po i jepet. Ne duam që Bibi të përqendrohet te lufta, jo te një falje qesharake”, tha Trump për “The Times of Israel”.

Zyra e presidentit Herzog theksoi më herët se vendimi për një falje ishte në kompetencën e tij dhe duhet të ndiqeshin procedurat ligjore.

Në një deklaratë thuhej se Izraeli ishte një shtet sovran që drejtohej nga shteti i së drejtës dhe se kërkesa për falje po shqyrtohej aktualisht nga Ministria e Drejtësisë, e cila do të jepte opinionin e saj ligjor.

Marrëdhënia Trump–Netanyahu

Marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyahu janë përmirësuar ndjeshëm që nga fushata zgjedhore amerikane e vitit 2024, pasi më herët kishin pësuar një ftohje kur Netanyahu përgëzoi Joe Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Lufta me Iranin dhe ndikimi te Hamasi

Trump u pyet gjithashtu nëse dobësimi i Iranit në luftën aktuale mund ta detyronte grupin palestinez “Hamas” të çarmatosej, duke qenë se Teherani kishte qenë një nga mbështetësit kryesorë financiarë të tij.

“Shumë njerëz do të çarmatosen për shkak të kësaj lufte”, tha Trump.

“Sepse tani Irani është në një pozicion që nuk e ka njohur kurrë më parë dhe situata vetëm do të përkeqësohej për ta”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›