Nufi: Vajza e parë që merr detyrën e komandantes së togës në Forcat Speciale

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndau sot shembullin e vajzës së parë komandante në Regjimentin e Operacioneve Speciale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi theksoi se ajo është një shembull i vendosmërisë dhe profesionalizmit në radhët e Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
“Ajo nuk e mendoi kurrë dorëzimin si opsion, theu tabu dhe nuk kërkoi asnjë privilegj. Në Regjimentin e Operacioneve Speciale, mes të regjistruarve në kursin selektiv Komando, kërkoi sfidën. E përfundoi kursin Komando mes më të mirëve, krah për krah me një tjetër oficere. Sot mban beretën blu me krenari dhe komandon një togë me autoritet të plotë”, u shpreh Nufi.
Sipas tij, ajo është vajza e parë komando që merr këtë detyrë në Regjimentin e Forcave Speciale, duke hapur një kapitull të ri për gratë dhe vajzat në Forcat e Armatosura.
“Është vajza e parë komando që merr këtë detyrë tek Regjimenti i Forcave Speciale, duke hapur një kapitull të ri për gratë dhe vajzat në FA. Forca nuk njeh gjini!”, theksoi ai.
Në videon e publikuar, komandantja e togës u shpreh se shërbimi në trupën komando është një krenari dhe një përgjegjësi e madhe.
“Jam komandante toge në batalionin komando në regjimentin e forcave speciale. Të qenurit pjesë e regjimentit dhe pjesë e trupës komando për mua është një krenari. Çdo ditë punojmë me profesionistë të mirëstërvitur dhe të trajnuar, gjë që më motivon të bëj punën me përkushtim dhe dashuri”, tha ajo.
Ajo theksoi se kursi tre-mujor komando ishte një sfidë e madhe fizike dhe psikologjike.
“Kursi komando 3-mujor që kam përfunduar ka qenë tejmase i vështirë, me shumë sfida si fizike ashtu edhe psikologjike. Me punë të vazhdueshme dhe përgatitje arrita të bëhem komandante toge”, u shpreh ajo.
Oficerja shtoi se ishte ndër të parat që vendosi të sfidonte një traditë të gjatë.
“Për herë të parë kam qenë nëntogerja që vendosa të thyej tabunë për t’u bërë pjesë e këtij kursi që historikisht është ndjekur vetëm nga gjinia mashkullore”, theksoi ajo.
Sipas saj, periudha e mbijetesës ishte ndër momentet më sfiduese të kursit.
“Pjesa më e vështirë e kursit ka qenë periudha e mbijetesës. Ushtaraku duhet të jetë i gatshëm të mbijetojë në çdo terren për të kryer misionin e tij. Çdo kursant e mendon momentin e dorëzimit për shkak të lodhjes së madhe, por përkushtimi dhe dëshira për të marrë beretën blu të bëjnë të mos dorëzohesh”, tha ajo.
Komandantja e togës theksoi gjithashtu se çdo ditë ndien krenari për uniformën që mban dhe për detyrën që kryen.
“Çdo mëngjes që vesh uniformën dhe përgatitem për të dalë para komandove të vërtetë, ndihem krenare dhe e motivuar për të kryer misionet dhe detyrat tona sipas standardeve që kërkohen”, u shpreh ajo.
Ajo vuri në dukje se forcat komando shqiptare janë në vijën e parë krah për krah me aleatët e NATO.
“Forcat komando qëndrojnë në vijën e parë krah për krah me aleatët tanë të NATO-s, duke pasur aftësinë për të arritur standardet dhe përgatitjen e duhur që kërkohet për të kryer misionet tona”, tha ajo.
Në mesazhin e saj për vajzat dhe gratë, komandantja theksoi se shërbimi ndaj atdheut nuk njeh gjini.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas i them çdo vajze dhe gruaje: besoni tek forca juaj. Ne jemi të barabartë në uniformë. Shërbimi ndaj atdheut nuk ka gjini dhe i ftoj të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura”, përfundoi ajo.
/gj.m/a.f/