Ku gabojnë zotërinjtë e Bordit
Mësova, me keqardhje dhe habi të madhe, për një njoftim për mediat të shpërndarë në mënyrë të fshehtë, pa dijeninë time, nga zëdhënësja e M.T.K.R.S dhe që bashkangjitur shpall dhe projekt-kalendarin e T.K.O.B-së për vitin 2008. Praktika e çuditshme e informimit publik nga një instancë e nderuar sipërore të lë shijen e keqe se paqja e kërkuar për të punuar në frymë bashkëpunimi institucional, paska qenë e rreme dhe e mbushur me veprime okulte.
Me lejoni të ndalem vetëm në disa momente:
1. Pavarësisht nga rezervat e drejtorit të përgjithshëm, të cilat nuk kanë ngelur në hije, por u janë bërë me dije edhe instancave më të larta, si një e drejtë legjitime në shtetin demokratik. Diçka ndryshoi pak kohë më parë. Dhe bordi siç pohohet "gabimisht" në njoftim është mbledhur intensivisht në T.K.O.B (madje në zyrën e titullarit dhe vetëkuptohet me pjesëmarrjen dhe në drejtimin e tij).
2. Projekt-kalendari është hartuar nga T.K.O.B.A.P dhe paraqitur për vërejtjet e nevojshme nga bordi, i cili pas diskutimesh vendosi të vijojë puna për detajimin e tij para publikimit.
3. Drejtoritë vartëse, Drejtoria Artistike dhe ajo Ekonomike kanë marrë detyrën që ta detajojnë atë për të realizuar të gjithë komponentët e nevojshëm artistikë dhe financiarë për t‘u miratuar nga Bordi. Kërkesa e drejtorit të përgjithshëm për ta futur çështjen në rendin e ditës së mbledhjes së ardhshme, nuk është reflektuar në njoftimin e fshehtë të shpërndarë si më sipër.
4. Hamendjet mbi "mentalitetet e deritanishme" të drejtorisë janë një tjetër tregues i frymës së baltologjisë dhe jo asaj të bashkëpunimit, sikundër ishte premtuar në tryezën e disa ditëve më parë në M.T.K.R.S.
Puna shumë e madhe dhe nivelet mjaft të larta cilësore të krijuara nga T.K.O.B.A.P në sezonin 2007, nuk kanë nevojë për avokati. Ato flasin me gjuhën e shifrave dhe të publikut. Kushdo që përpiqet të hedhë baltë e tym mbi të nuk bën asgjë më shumë veçse të provojë sesi fabrikuesi i ngërçeve dhe konflikteve, shpreh në mënyrë të pavullnetshme "pakënaqësinë" e tij, për mosarritjen e rezultatit të "programuar", që për fat të keq është lexuar dhe kuptuar me kohë.
T.K.O.B.A.P nuk është pronë e askujt, por vetëm e kombit dhe publikut të mrekullueshëm artdashës. Kushdo që beson apo shpreson në të kundërtën, nuk meriton asgjë më shumë se keqardhje.
Drejtor i përgjithshëm i TKOBAP
dhe kryetar i Bordit Artistik