Kalon për gjykim dosja ndaj Laert Haxhiut, Kristi Bixhekut dhe Artan Tafanit

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) në seancën e sotme paraprake kaloi për gjykim çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Laert Haxhiu, Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, pranoi kërkesën e SPAK dhe dërgoi për gjykim tre të pandehurit.
Laert Haxhiu akuzohet për disa vepra penale; shkatërrim prone me eksploziv, mbajtje pa leje të armëve dhe lëndëve plasëse, pjesëmarrje dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe organizate kriminale, vrasje me paramendim, vrasje me paramendim të kryer për interes, vrasje për gjakmarrje, tentativa vrasjeje, si dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes. Gjithashtu akuzohet për vjedhje me armë dhe për prodhim e mbajtje të municionit dhe armëve pa leje në disa ngjarje të ndryshme përgjatë viteve 2021-2024.
Kristi Bixheku akuzohet për shkatërrim prone me eksploziv, mbajtje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit pa leje, si dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe organizate kriminale. Gjithashtu akuzohet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasje. Këto vepra lidhen me ngjarje të ndodhura në Lushnje në dëm të shtetasve B.T., B.T./R.T. dhe G.H.
Artan (Marjus) Tafani akuzohet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje, kryer në formë bashkëpunimi në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe në kuadër të veprimtarisë së një organizate kriminale. Këto akuza lidhen me një ngjarje të ndodhur më 06.07.2022, në Lushnjë, në dëm të shtetasit R.G.
/m.q/r.e/a.f/