Kapet, dhunonte bashkëshorten
Dhunon bashkëshorten, procedohet penalisht. Dhuna familjare vazhdon të shtojë numrin e viktimave të deklaruara në Durrës. Prej disa muajsh, autoritetet policore kanë nisur të lëshojnë dhe zbatojnë urdhrat e marrjes së menjëhershme të viktimave në mbrojtje. Një grua ka denoncuar burrin për dhunë sistematike ndaj saj, ndërsa policia i ka përcjellë organit të akuzës dosjen e të riut për veprën penale të dëmtimeve të tjera me dashje. Nën akuzë është vënë shtetasi Kujtim Kovaçi, 25 vjeç, lindur në Tiranë e banues në lagjen nr.14 të Durrësit. Procedimin penal ndaj këtij shtetasi e ka nisur seksioni i mbrojtjes së të miturve e dhunës në familje në policinë e Durrësit pas kallëzimit të bërë nga bashkëshortja e tij. Gruaja e re ka deklaruar se është dhunuar fizikisht e moralisht nga i shoqi në mënyrë të vazhdueshme dhe rasti më i fundit i dhunës së ushtruar mbi të ka qenë të dielën.