E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika e shqiptarëve matanë Ibrit

Për të shkuar në atë që në Mitrovicë njihet si mëhalla e boshnjakëve, këto ditë duhet zgjedhur rruga më e gjatë. Më e shkurtra do të thotë të kalosh përmes veriut, ku serbët që pas shpalljes së pavarësisë kanë marrë plotësisht në duar rendin publik. Vudi, fotografi që ka marrë përsipër të bëhet udhërrëfyes, nuk mendohet shumë. Fotografon çfarë i del përpara. E më të shumtë janë ushtarët e KFOR-it, që duket se kanë sytë dhe forcën e tyre në çdo pëllëmbë. Por a është kështu realisht?

Rojet e natës

Sapo kalon një rrotullame telash me gjemba, e disa ushtarë norvegjezë që ngrohen në diell, një grup të rinjsh të del përpara. Rrinë vetëm pak metra larg urës, e cila nuk është mbyllur asnjëherë. Të gjithë shqiptarë që vetes i kanë vënë një mision: të ruajnë shtëpitë e tyre. Të paktën që prej 15 shkurtit rrinë ditë e natë zgjuar, me turne, duke ruajtur shtëpitë e tyre nga serbët. "Do të rrimë këtu deri në vdekje. Atë ditë që do të dalim, duhet ta dini se na ka nxjerrë KFOR-i", thotë Arian Kadriu. Nuk kanë besim në asgjë, as polici, as KFOR. "E kemi parë më 17 mars 2004 KFOR-in kur na ka sulmuar së bashku me serbët", thotë ai. Sipas tyre, serbët qarkullojnë me rroba të zeza dhe armatim nëpër qytet, por askush s‘i ngacmon. Në krah mbajnë shiritin e bardhë, për të dëshmuar kështu se janë punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). 1300 shqiptarë banojnë në këtë lagje, ku shtëpitë e tyre rrinë bri më bri me ato serbe. "Shumica e shqiptarëve në veri i kanë larguar fëmijët", thotë Gjylazim Peci, një nga banorët që jo vetëm nuk e ka shitur shtëpinë e tij, por ka derdhur paratë e fituara në Slloveni për të blerë edhe dy të tjera, me qëllimin e vetëm që ato të mos bien në duart e qeverisë serbe. Shqiptarët që kanë mbetur në pjesën veriore të Mitrovicës, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, po jetojnë në një ankth dhe zhgënjim të vërtetë. Veton Vidishiçi, një burrë rreth të tridhjetave, është ulur në një skaletë druri dhe mendjen e ka te dy shtëpi që janë shitur pikërisht në ditën e pavarësisë. "Këta japin miliona për një kasolle", tregon ai duke sharë ata shqiptarë që pranojnë ofertën e qeverisë serbe. Ndërtesa të larta, të reja, bien në sy mes shtëpive të ulëta njëkatëshe. Të gjitha të ndërtuara me fondet e qeverisë së Beogradit, e cila ka një synim të qartë, të spastrojë veriun nga shqiptarët. "Babait tim i kanë ofruar 120 mijë euro për 2 arë (200 m2) tokë", tregon Emir Sulejmani, një shifër kjo shumë më e lartë se ajo e tregut real. Ofertat u vijën çdo ditë. Janë avokatë serbë, por edhe shqiptarë, që merren me këtë "biznes". Tashmë Serbia i ka vënë edhe emrin këtij aksioni, "Investimi Nacional."

Bomba

E nëse lufta ka mbaruar në 1999 në Kosovë, ka një pjesë që e konsideron veten në një gjendje të tillë. Këta janë shqiptarët që banojnë në veri të Mitrovicës. Oborri i shtëpisë së Sait Pecit ende është i nxirë nga një granatë e hedhur një ditë pas shpalljes së pavarësisë. Gropat në oborr, e po ashtu nëpër mur, shquhen qartë. Shtëpia e tij është mes dy shtëpive serbe, njëra prej të cilave është një ndërtesë e lartë ku banojnë familje serbe të reja për këtë qytet. Saiti akuzon policinë e SHPK-së për bombën e hedhur në oborrin e tij. Ai ka qenë në dritare të shtëpisë, duke ruajtur, kur një makinë pa targa, me ngjyrë të kuqe, ka kaluar dhe pas 3-4 sekondash ka plasur bomba në oborr. Më pas ka parë makinën e policisë të kalojë dhe në vend që të ndalet tek oborri i tij, ka shkuar disa metra më tutje, ka marrë një serb dhe e ka lëshuar pas pak çastesh. Saiti, së bashku me gruan dhe vajzën, po jeton në një terror psikologjik. Ai thotë se i vijnë shpesh serbë dhe i kërkojnë të shesë shtëpinë. Po kështu fqinjët e tyre shajnë apo mësojnë fëmijët të bëjnë një gjë të tillë herë pas here.

Trafik armësh

Adem Mripa është kryesuesi i lagjes së boshnjakëve në Mitrovicë. Asgjë e çuditshme nuk po ndodh sipas tij, pasi serbët me kohë i kanë bërë këto plane. "Ti nuk guxon të jesh i lirë" është shprehja që ia thonë shpesh fqinjët e tij serbë. Ai ka pasur disa sulme me granata në shtëpinë e tij. Profesori i gjimnazit thotë se ka kohë që në këtë pjesë të qytetit lulëzojnë armët, qarkullojnë si të ishin lodra fëmijësh. Para pak netësh ai vetë i ka blerë 3 armë të prodhimit rus nga një serbe, tronblona, për 50 euro. Më pas ka thirrur KFOR-in, por ka ndeshur në autoritetin e komandantit të stacionit të veriut të policisë, Milija Millosheviç. SHPK ka një version tjetër për këtë ngjarje, por sido që të jetë, armët nuk janë një mollë e ndaluar në veri. Përkundrazi, KFOR-i nuk ushtron kontrolle nëpër shtëpi, as te shqiptarët e as te serbët. Për këtë pjesë, pavarësia e Kosovës është ende larg…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›