Ylli që kërkon Pango
Pas përurimit të tre objekteve, godinës së re të MTKRS-së, godinës së re dhe të restauruar të Institutit të Monumenteve dhe Shkollës së Restauruesve, si dhe ringritjes dhe njëherë të ish-bibliotekës së vjetër nën emrin "Libri Europian", ministri i Kulturës, Ylli Pango, e sheh veten në zenit të arritjeve të tij, në krye të institucionit që drejton. Nuk preferon të flasë për "betejën" e rihapur me FSHF-në apo për shkarkimet e disa vartësve me emër e përplasjet me disa të tjerë, të cilat i konsideron edhe si kosto të barrës së rëndë të punës. Pango flet për një koncept krejt tjetër që mbizotëron në vizionin e tij lidhur me rivitalizimin e kulturës si frymë dhe aftësi menaxhuese. Kryesore për të është frenimi që sipas tij po i bëhet fenomenit disavjeçar të grabitjes së pronës publike, më saktë të institucioneve të kulturës, për t‘i shndërruar në pallate. Tashmë sipas tij, radhën e ka Pallati i Kulturës e veçanërisht Biblioteka Kombëtare, për t‘iu rikthyer dinjiteti dhe potenca e shërbimeve. Tirana duhet të ketë e do të ketë më shumë teatro, galeri dhe institucione ku bëhet kulturë, thotë Pango, i cili është tërësisht i bindur se te kolonat, do të ngrihet një ditë ai që do të quhet teatri i kolonadave, paçka nënqeshjes që provokoi ky lajm muaj më parë, nga ca elementë utopikë që bartte. Por ministri flet dhe për rivitalizimin e qyteteve më të rëndësishme shqiptare me potencial të madh të trashëgimisë e kulturës qytetare. Një lajm prej tij është dhe atraksioni që do të ofrojnë zonat nga do të kalojë rruga Durrës- Kukës, me kullat 300-vjeçare të malësorëve që do të shndërrohen në objekte muzeale. Por çdo ndodhë fillimisht në Tiranën tonë, ku qendra e kulturës, është...ish-Blloku?!
A e dalloni z. ministër se koncepti i një jete të pasur kulturore në Tiranë është zëvendësuar me një prirje kah argëtimi hedonistik, e kjo me qendër tek ish-Blloku. Ǒmund të bëni që t‘i çrrënjosni masat e të rinjve që atje, e t‘i çoni në teatër fjala vjen?
Është e vërtetë. Ndërkohë aktivitete ka, por nuk mjaftojnë. Pse nuk ndjehen aq sa ç‘duhet? Sepse ju e dini që koncerte ka, ekspozita ka, shfaqje në Teatrin Kombëtar ka, opera ka. Unë them pikësëpari se nuk mjaftojnë. Tirana është njëmilionëshe tani dhe duke qenë se këto nuk mjaftojnë, në si fillim duhet të bëjmë edhe më tepër institucione të reja të artit. Ndaj dhe unë premtova se do t‘i rikthej qytetit të gjitha institucionet e artit të përçudnuara ndër vite. Ishte përçudnuar e kalbëzuar Lidhja e Shkrimtarëve. Tani, ministria e re në godinën e saj ka katër salla për katër gjini arti: ka sallë për filmin, sallë për artet figurative, sallë për muzikën ku së shpejti do të japë koncert Inva Mula, ndërkohë ka edhe një sallë për aktivitete, aty ku u dhanë çmimet kombëtarë të letërsisë. Pra, unë i kam shtuar modestish, së bashku me ministrinë, numrin e institucioneve. Së fundi, realizuam dhe rikthimin e një biblioteke siç është ajo e Librit Evropian. Pra shtuan dhe një bibliotekë e cila nuk funksiononte, kishte vdekur, kishte shtatë vjet që tentohej për ringjallje dhe tani u bë realitet vetëm me 36 milionë lekë. Ndërsa godina e Lidhjes u bë me 50 milionë lekë, aq sa profesorë të arkitekturës së Oxfordit u mahnitën dhe thanë: "Kjo shkon të paktën 9 herë më shumë", dhe kjo u bë në një kohë rekord për 100 ditë. Tani po luftoj për Bibliotekën e madhe Kombëtare. Ta rikthejmë siç ishte dhe ta bëjmë më të mirë akoma. Do të heqim të gjithë "pushtuesit", siç i quaj unë që i kanë ndryshuar destinacionin asaj godine. Ndërkohë, te Piramida, po shkojmë shumë mirë, sepse kemi një marrëveshje me negociata shumë të mira me drejtuesit e "Top Channel", e kështu kemi arritur në atë fazë që shumë shpejt të fillojmë punën. Pra do të kemi një teatër të ri dhe një muze të veprave të artit brenda në Piramidë. Pra, unë shikoj si fillim shtimin e institucioneve, se janë 1 milion banorë, e këta duan ushqim (shpirtëror).
Por këto salla duhen mbushur z. ministër. Tirana nuk vuan për salla, por për spektatorë që t‘i mbushin ato. Çfarë strategjie do të ndiqini?
Jo, për mua janë pak. Sepse kinemanë e kishe dhe ta morën. Për "Millenium 1" e kam fjalën e që e bënë pallat. Ka mbetur vetëm një kinema, sepse ato që janë hapur te "Sheraton"-i, unë ende nuk mund t‘i quaj kinema publike. Për rrjedhojë shfrytëzohet salla e Akademisë së Arteve, skena e Teatrit të Operës, e për mua janë pak. Të jesh i bindur për këtë. Pse? Se ka shumë artistë të rinj që përfundojnë studimet dhe mund të kesh dhe një teatër alternativ, mund të kesh dhe një "music hall teatre", pra të kesh disa lloj teatrosh, edhe në strukturë apo gjini specifike, ndërkohë që ke vetëm një Teatër Kombëtar. Unë vazhdoj të them që duhet të shtojmë numrin e institucioneve. Sa për politikat, ne do të ndryshojmë frymën dhe punën e institucioneve dhe unë e kam deklaruar se kjo ka filluar. Ka një grup pune në ministri që nuk po punon vetëm. Po punon në konsultim të ngushtë me Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatrin Kombëtar dhe me Galerinë e Arteve. Dhe do të ndërtojmë politika të cilat i përshtatin këto institucione me funksionimin që kanë institucionet e artit më të mira në Evropë dhe të cilat subvencionohen nga shteti. Ndërkohë vazhdohet me projekte. Kishim projektin e teatrit të të rinjve. Do të kemi një të ngjashëm me piktorët e rinj. Këto mund t‘i bënte çdo ministër. Sekreti është tek investimet e mëdha dhe politikat.
Qendra kështu, po periferia?
Kjo i përket një Tirane me shumë qendra. Nëse ndërtohen qendra urbane, brenda saj sigurisht do të kesh edhe institucione kulture. Por për momentin, ne kemi vetëm një qendër, ndaj dhe këta njerëz të vijnë këtu, sepse në zona me infrastrukturë të pazhvilluar dhe me probleme jetike, vështirë se mund të ngresh institucione kulturore. Unë po u jap si shembull Londrën si metropol perandorak. Dhe po të shikosh, Londra ka pjesën e Down Town-it që zien nga arti, kultura, progresi dhe zhvillimi. Dhe kjo Londër ka shumë zona periferike, ku nuk mund të flasësh për jetë artistike. Ndërkohë që Parisi është zhvilluar ndryshe. Ka shumë qendra e duke pasur shumë të tilla, ka dhe shumë kulturë, brenda së cilës ka dhe shumë institucione kulturore. Dhe unë mendoj se nëse Tirana do të ecë me shembullin e disa qendrave urbane, do të ketë dhe institucione kulturore, sepse ka dhe minibashkitë përkatëse. Por sot, edhe nëse do të kisha fonde, nuk do të mund të ndërtoja institucione kulture, sepse nuk të japin tokë minibashkiakët e kryebashkiaku. Toka është bërë e çmuar vetëm për pallate. E dini që edhe Lidhja ka pasur destinacion të shembej e të bëhej pallat?!
Edhe biblioteka e vjetër ishte e destinuar të ikte te ndonjë i ashtuquajtur pronar. Ky është aksioni i madh i jetë sime: Kthimi i institucioneve të kulturës në shërbim të kulturës, duke shmangur shndërrimin e tyre në gërmadha për një Tiranë të mërzitshme pallatesh, pallatesh, pallatesh. Sigurisht, nuk jam që pronat të mos të kthehen. Jam për mosvjedhjen e pronave publike. Një nga arsyet për ta marrë sërish Pallatin e Kulturës, është fakti se një pjesë e mirë e ambienteve të këtij institucioni janë pushtuar, duke ndryshuar destinacion kulturor. Sepse kur janë vënë në ato fillime, që unë do t‘i quaja fillime të kapitalizmit primitiv, ato u dhanë me kusht dhe në kontratat përkatëse që ato të bëheshin qendra që t‘i shërbenin kulturës. Por po të shihni, aty ka një larushi të neveritshme aktivitetesh antikulturë, të cilat duhet të mbarojnë njëherë e mirë, përjashto një librari. Ne kemi zhbërë disa gjëra të tmerrshme.
Mirë Tirana, po Shqipëria? Konkretisht çfarë do të bëhet me qytete si Berati, Shkodra, Korça? Si do të bëhen të jetueshme e të vizitueshme, kulturalisht kuptohet, se këto qytete për hir të kulturës ekzistojnë dhe jo thjesht të gjallimit fizik...
Në Berat kemi nisur të punojmë. Ndërsa në Gjirokastër po punohet në disa drejtime. Bashkiaku i atjeshëm, Flamur Bime, ka thënë se nuk më është dhënë asnjëherë kaq shumë sa nga qeveria "Berisha". Atje po bëhet kthesë e madhe. Dhe këtë punë po tentojmë të bëjmë edhe në Berat. Vjet restauruam 8 shtëpi karakteristike. Këtë vit do të japim më shumë fonde. Sakaq po përgatisim dosjen për në UNESKO, që do të dorëzohet në prill. Shpresojmë që ky qytet do të jetë i patrimonisë kulturore botërore, e pa dyshim që do të ketë një atraksion të jashtëzakonshëm turistik. Më pas gjithçka varet nga infrastruktura. I takon pushtetit qendror e lokal që të punojë për këtë infrastrukturë. Gjithsesi unë e shoh Beratin me shumë optimizëm. Edhe qytetet e tjera do të ecin me këtë ritëm. Por dua të veçoj atë që do të ndodhë në rrugën e re Durrës-Kukës. Në ato treva ku do të kalojë rruga, gjenden kulla 300-vjeçare që do të jenë dhe ato një atraksion i jashtëzakonshëm kulturor. Pra, gjithçka do të ecë në korrelacion: zhvillimi infrastrukturor me atë kulturor që do të pasohet me investime dhe politika të fuqishme. Investim i madh për këtë vit do të jetë pazari i Korçës. Dhe nuk është fjala për rregullime të disa shtëpive, por të një ansambli që bën të mundur dhe rivitalizimin e jetës së një qyteti, Aty padyshim, që ky zhvillim të kthen te Korça e dikurshme. Edhe në Shkodër, po kështu me Dugajt e reja. Sapo më ka ardhur një propozim edhe për rivitalizimin e kalasë së Shkodrës.
Unë nuk jam optimist kot, jam realist.
A jeni i kënaqur me fondet e dhëna për kulturën?
Po, sepse janë trefishuar nga 100 milionë në 300 milionë. Sidomos fondet për trashëgiminë ku janë futur edhe 50 për qind për objektet e kultit. Unë jam i ndërgjegjshëm që Shqipëria nuk është në ato nivele si për shembull në Itali, ku jepen 400 milionë euro për restaurimin e pallatit të Princit të Savojës. Por duke mos pasur këtë luks, atëherë zgjuarsia dhe aftësia është që veç këtij fondi që merr, të kërkosh të aplikosh në institucionet ndërkombëtare dhe në qeveritë e vendeve të huaja që të marrësh fonde të tjera dhe ti i merr patjetër kur je institucion, sepse ke besueshmëri. Dhe unë dy projekte tashmë i kam fituar: një prej 3 milionë eurosh nga Komuniteti Evropian për Restaurimin e Qendrave Historike ende të paprekura. Tjetri është me qeverinë spanjolle po me këtë shumë, i cili do të shkojë për Muzeun Kombëtar (800 mijë euro) e të tjerat për investime të ndryshme në kulturë. Pra, është e mira që një qeveritar t‘i thithë vetë fondet, jo vetëm duke pritur nga thesi i qeverisë.
Cili është thelbi i refuzimit të një projekti nga ana juaj?
Njëra ndër pjesët më të pakënaqshme të punës sime është dhënia e fondeve për projekte, jo në vetvete për projekte, sepse unë dua që të bëhen projekte artistike, por për përplasjet që krijohen nga aplikantët për të marrë fonde. Mund të më vijnë deri në një mijë aplikues e secili thotë: Konceptimi, programi im, projekti im, ekspozita ime do të jetë më e bukura, e të gjithë këta kërkojnë para. Por fondi është i kufizuar. Atëherë dikujt do t‘ia prishësh e dikujt do t‘ia ndreqësh. E ç‘ndodh: Këtu ka aktivitete që janë mësuar "të marrin rrogën në ministri" çdo vit. Kjo nuk është as politikë e djathtë dhe nuk mendoj se është dhe e majtë. Sepse çdo me thënë që ti të bësh një aktivitet, dhe nëse je i aftë ta kthesh në institucion këtë aktivitet, sërish pastaj të vish si institucion e të kërkosh rrogën? Ndërkohë që ti nëse je kthyer në institucion, mund të çash vetë në shumë forma. Unë të jap në fillim, të mëkoj me fonde që ti të rritesh, ndonëse dhe në këtë drejtim ka teprime (si për shembull: Na jep ca lekë të ringjallim dramën shqipe!) e më pas ec vetë. Sepse sa më shumë të më thuhet se ky aktivitet është i mirë, aq më shumë kam arsye të them: Ok, le të vijnë te ty sponsorët për këtë aktivitet, kërkoi. E ku ka sponsor që nuk të vjen, nëse je i suksesshëm?!
Si është treguesi i vizitueshmërisë në muze, kudo në Shqipëri?
Ka rritje vizitueshmërie. Por me tepër doja të veçoja rritjen galoponte në parqet arkeologjike e në qendra të mëdha historike. Kjo, sepse të gjitha aktivitetet kulturore gjatë verës, ne i përqendruam në këto qendra. Një kolegu i im ministër më tha një ditë: Në ministrinë tuaj bëhet punë e bukur!
Z. Ministër, ju jeni konfliktuar shumë me vartës. Mos është thjesht kosto e punës dhe e mbingarkesës nervore?
Duhet të dish një gjë. A di kush konfliktohet më shumë? Ai që punon më shumë. Sigurisht, ka dhe raste që konfliktuohen kot. Por përgjithësisht nëse do të punosh do të kesh probleme. E kundërta është e pamundur. Për mua ekziston një psikologji shkatërruese të djalit të mirë, me portret mirëdashës, buzëqeshës, por që nuk bën asgjë. Unë them njëherë e mirë: O Zot na shpëto nga këta, se këta "të mirë", po e lënë Shqipërinë prapa!