Pronat, tentohet vrasja e një kryeplaku në Tiranë
Tre persona tentojnë të vrasin një kryeplak në Tiranë për çështje pronash. Gentian Meta, Dritan Qefalia dhe Fadil Meta janë prangosur nga uniformat blu nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se arrestimi i tyre u krye nga Komisariati i Policisë Nr. 4, pasi për motive pronësie kanë tentuar të vrasin Dashamir Kalajën, kryeplak i fshatit Tujan, në Komunën e Dajtit. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 16.30‘, kanë tentuar të kryejnë krimin e lartpërmendur me armë gjahu, të cilën e posedonin me leje. Dyshohet se të arrestuarit kanë shkuar për t‘u konfliktuar në banesën e Kalajës me motivin e ndarjes së një toke midis disa personave të tjerë, ndarje të cilën e kishte kryer kryeplaku i fshatit. Më tej, ata kanë tentuar ta vrasin, por me ndërhyrjen e policisë kjo situatë është zgjidhur. Policia tha se sekuestroi edhe armën e gjahut.