E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimi, raketat ruse drejt Ukrainës

Rusia ka thënë se do të drejtojë raketat e saj nga Ukraina në rast se fqinji i saj anëtarësohet në NATO dhe pranon vendosjen në territorin e saj të mburojës raketore të SHBA-së. Presidenti rus, Vladimir Putin, i bëri këto komente përkrah atij të Ukrainës, Viktor Jushçenko. Pas bisedimeve urgjente në Moskë, dy liderët arritën një marrëveshje për të shmangur ndërprerjen e furnizimeve me gaz për Ukrainën. Putin, ndërkohë, dënoi planet amerikane për të përfshirë Poloninë dhe Republikën Çeke në sistemin e saj mbrojtës nga raketat. Në një fjalim në televizion, javën e kaluar, ai paralajmëroi se "një fazë e re në garën e armatimit po prezantohet para botës". Duke folur në konferencën për shtyp në Kremlin, të martën, Putin tha se ai e kishte këshilluar Ukrainën të mos anëtarësohej në NATO, por pranoi se nuk ishte në gjendje të interferonte në një lëvizje të tillë. "Bashkimi me një bllok të tillë do të thotë që një vend kufizon sovranitetin e tij", tha ai. I pyetur rreth pasojave që do të kishte një anëtarësim i Ukrainës në NATO, Putin tha se Rusia ishte e shqetësuar se fqinji i tij mund të pranonte pjesë të sistemit mbrojtës nga raketat në territorin e tij. "Jo vetëm jam i tmerruar teksa dëgjoj këtë, është i frikshëm vetëm mendimi se Rusia, në një situatë të tillë, do të detyrohej të drejtonte raketat e saj drejt Ukrainës", tha ai. "Qëllimi i sistemit mbrojtës amerikan është neutralizimi i kapaciteteve tona bërthamore...kjo do ta detyronte Rusinë që të ndërmerrte kundra-masa", shtoi Putin. Gjithsesi, atmosfera ishte disi më miqësore mes dy fqinjëve, pak çaste më parë, kur edhe u ra dakord për dhënien fund të një mosmarrëveshjeje mbi gazin. Putin tha se Rusia dhe Ukraina kishin arritur një marrëveshje për shtyrjen e pagimit të borxhit që Kievi i kishte Moskës. Kompania ruse e gazit, "Gazprom", kishte kërcënuar se do të ndërpriste furnizimet me gaz për Ukrainën, ditën e djeshme, në rast se nuk do të arrihej një marrëveshje. "Ne kemi arritur një marrëveshje sipas së cilës borxhi do të fillojë të shlyhet në kohën më të afërt", tha Putin pas bisedimeve me Jushçenkon. Vetë ky i fundit saktësoi se Ukraina do të fillonte të paguante borxhin e mbledhur për periudhën nëntor-dhjetor të vitit të shkuar, për shkak të vonesës së firmosjes së kontratave të furnizimit. Borxhi për gazin nga Rusia dhe Azia Qendrore është rreth 1.5 miliardë dollarë. Pavarësisht përfundimit të mirë, mosmarrëveshja ktheu edhe një herë makthin e ndërprerjes së furnizimeve me gaz për Evropën. Një mosmarrëveshje për çmimet mes Moskës dhe Kievit kishte ndërprerë furnizimet me gaz për shtetet e Bashkimit Evropian në vitin 2006. "Gazprom"-i gjithsesi kishte këmbëgulur se mosmarrëveshja nuk do të prekte furnizimet me gaz për BE-në, por do të mbyllte rubinetet vetëm për Ukrainën. Për Evropën, furnizimet do të vazhdonin nga Azia Qendrore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›