Putin do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s
Presidenti rus, Vladimir Putin, do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në prill. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Takimi i Bukureshtit do të jetë i pari ku lideri rus merr pjesë që nga ai i Romës, në 1992-shin, kur formati ekzistues i partnershipit NATO-Rusi, u lançua. "Presidenti Vladimir Putin ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në samit. Kjo dëshmon edhe një herë faktin se Rusia është e hapur për dialog mbi çdo çështje", tha ministri Lavrov. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe aleancës janë përkeqësuar vitet e fundit dhe Moska madje ka akuzuar NATO-n se po nxit një garë të re armatimesh, duke shtuar prezencën e saj ushtarake në kufijtë perëndimorë të Rusisë. Të tjera çështje tensioni janë edhe vendimi i Rusisë për të pezulluar bashkëpunimin mbi kuadrin e marrëveshjes për armatimet konvencionale në Evropë dhe planeve të anëtares së NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndërtimin e një sistemi mbrojtës nga raketat në Evropën Lindore. Putin largohet nga detyra në maj, pasi të jetë zgjedhur pasuesi i tij në presidencialet e marsit.