Koalicioni pret zgjedhjet në Serbi
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri i ardhshëm, Hashim Thaçi, takimin e fundit në presidencë preferuan ta zhvillojnë larg syve të mediave. Marrëveshja për koalicionin qeveritar ka ngecur prej ditësh dhe lëmshi nuk do të zgjidhet gjatë këtij viti. Fatmir Limaj, nënkryetar i PDK-së, konfirmoi përfundimisht se para datës 4 janar nuk do të ketë asgjë. Ka disa arsye pse ndërtimi i institucioneve të reja po zvarritet. Jo vetëm 10 dhjetori e gjeti Kosovën pa Parlament, por duket se do ta gjejë edhe 10 janari.
Zgjedhjet në Serbi
Një burim nga Kuvendi i Kosovës thotë se e gjithë kjo lidhet me zgjedhjet presidenciale në Serbi. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk është mbledhur Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 17 nëntorit. Megjithëse kreu i UNMIK-ut deklaroi më datë 5 dhjetor se certifikimi i deputetëve fillonte nga kjo datë, shkresën zyrtare ua ka dërguar vetëm me datën 12 dhjetor. Në Kuvend teknikisht është gjithçka gati, pritet vetëm vendimi politik. Partitë thonë se mbledhja e Kuvendit nuk po bëhet për shkak të koalicionit qeverisës, por kjo duket se nuk është e vërtetë. Një burim në PDK tha se janë pikërisht zgjedhjet në Serbi faktori që nuk po nxitohet, pasi Kuvendi i Kosovës sapo të mblidhet ka një detyrë shumë të rëndësishme: të shpallë pavarësinë, ose së paku datën e pavarësisë. Por Thaçi i ka premtuar bashkësisë ndërkombëtare se këtë nuk do ta bëjnë pa përfunduar raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, më datë 3 shkurt. Ndërkohë, mediat e Beogradit kanë publikuar datën 6 shkurt si ditën e shpalljes.
Emrat
Por përveç premtimeve për shpalljen, mosmarrëveshjet për krijimin e qeverisë janë evidente. Qeveria nuk u arrit të krijohet brenda vitit 2007. Arsyeja kryesore janë mospajtimet brenda dy partive politike më të mëdha. LDK dhe PDK parimisht janë pajtuar për të hyrë në koalicion, por sherret kanë plasur në lidhje me pikat e marrëveshjes për të. LDK, pas disfatës në zgjedhje, tani po kërkon të mbledhë veten e të kërkojë atë që meriton në bazë të votave, pra poste të cilat janë të rëndësishme. Eqerem Kryeziu, nënkryetar i saj, ishte mjaft i qartë. "Ne pajtohemi me 5 ministri, por nuk do të marrim ato më të parëndësishmet". Ai përmendi qarkullim kapitalesh dhe njerëzish jo të barabartë nëpër ministri. Nga ana tjetër, Kryeministri i ardhshëm ka vendosur parimet e tij të qarta, që kërkon t‘ia imponojë LDK-së. Nuk do të përfshijë figura që janë të implikuara në hetime të ndryshme. Nuk do të përfshijë asnjë nga ministrat që në të vërtetë i përkisnin kabinetit të Ramush Haradinajt, pasi dy kryeministrat e tjerë i trashëguan dhe nuk guxuar të lëviznin asnjë prej tyre. Zv/kryeministri aktual, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Thaçi nuk do të ketë më shumë pushtet mbi ministrat, se sa ka pasur Ceku. Nga ana e saj, PDK kërkon të hedhë në votim edhe presidentin Sejdiu, gjë që për LDK-në është e papranueshme. Por edhe brenda LDK-së ka grupacione që duan të imponohen si pjesë e qeverisë. Lufta për emra është e fortë, sipas burimeve pranë kësaj partie.