E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti për pronat, parandalohet një vrasje

Prona mbetet një nga çështjet më të nxehta dhe që përveç konflikteve në të cilat ka futur shumë familje, vazhdon të kthehet në shkak për marrjen e jetëve njerëzore. Dashuria për pronën ka bërë që një grua 60-vjeçare të rrihet keqazi nga një 25-vjeçar. Kjo ngjarje i ka dhënë një zjarr të ri konfliktit mes familjeve Qoshja dhe Mulaj në Fushë-Krujë, po ditën e djeshme është bërë i mundur parandalimi i një ngjarjeje të rëndë kriminale midis këtyre dy familjeve nga shërbimet e policisë. Të përfshira në konfliktin e pronësisë mbi një shtëpi dhe me lidhje krushqie mes tyre, pjesëtarë të dy familjeve, një ditë para ngjarjes, ishin shoqëruar në polici. Gjakrat janë acaruar më tej. Në vazhdimësi të konfliktit të pronësisë, 25-vjeçari Flamur Qoshja ka qëlluar me grushte, duke i shkaktuar dëmtime të rënda të shëndetit 60-vjeçares N.Mulaj, njëkohësisht vjehrra e vëllait të tij. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme dhe vetëm ndërhyrja në kohë e policisë ka shmangur tragjedinë. Me të parë nënën e moshuar të rrahur nga i riu Qoshja, Xhevahir Mulaj ka shkuar në drejtim të banesës së tij për të marrë armën dhe mbyllur njëherë e mirë këtë ngjarje që degradoi në rrahjen e të ëmës. Pasi ka marrë një armë zjarri automatik me 30 fishekë, është drejtuar drejt vendit të ngjarjes. Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të policisë së Fushë-Krujës ka bërë të mundur që personi të kapet në flagrancë dhe ngjarja të parandalohet. Këto shërbime e kanë ndjekur dhe mbajtur nën kontroll në vazhdimësi konfliktin e pronësisë dhe si rrallë ndonjëherë janë gjetur në kohën dhe vendin e duhur, duke shpëtuar nga vrasja Flamur Qoshen, kunatin e motrës së Xhevahirit dhe shuar mundësinë e nisjes së një gjakmarrjeje të re me motive pronësie. Burime nga policia bënë të ditur se dje në orën 15:00 u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale të kanosjes serioze për vrasje dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake i shtetasit Xhevahir Mulaj, 29 vjeç, lindur në Pukë e banues në Fushë-Krujë, me arsim të mesëm. Nga veprimet e para hetimore u bllokua në cilësinë e provës materiale automatiku model 56, së bashku me një krehër me 30 fishekë, ndërkohë që është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Flamur Qoshja. Pas ngjarjes ai është larguar menjëherë në drejtim të paditur, ndërsa akuzohet për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje. Ndërkohë, viktima e grushteve të tij, shtetasja N.Mulaj, ndodhet e shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, burimet bënë të ditur se po punohet nga punonjësit e policisë së zonave dhe policisë kriminale në drejtim të evidentimit, mbajtjes në kontakt e kontroll të vazhdueshëm të familjeve në konflikt e veçanërisht ato të pronësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›