Zihen për parkimin, kapen dy të rinj
Një grindje banale ka vënë në pranga 2 të rinj nga Fieri, nën akuzën e "plagosjes së lehtë me dashje", "kanosjes", si dhe "armëmbajtjes pa leje". Klement Kastrati, 23 vjeç, dhe Gertian Zaho, 27 vjeç, të dy banues në Fier, janë arrestuar pasi kanë qenë protagonistë në një grindje dhe më pas plagosje të shtetasit Skerdi Dervishaj. Ngjarja është shënuar pasditen e djeshme. Ndërsa ka nisur si fillim pranë një pike lavazhi automjetesh në daljen lindore të qytetit të Fierit, ka përfunduar në rrugën e spitalit rajonal të qytetit. Dy të rinjtë, Kastrati dhe Zaho, kanë qenë duke lëvizur me mjetin e tyre tip BMW me targa FR 8253 C. Në tentativë për t‘u larguar nga ambientet e spitalit ata kanë ndeshur një mjet përpara tyre, i cili u kishte bllokuar rrugën. Në makinë kanë qenë dy vëllezërit Skerdi dhe Olsi Dervishaj, të cilët ishin me mjetin e tyre tip BMW me targa FR 0175 C. Debati ka qenë i ashpër dhe ka vazhduar me përplasje fizike dhe më pas është plagosur Skerdi Dervishaj.