Kontroll partive për paratë
Ligj për rregullimin e financimit dhe transparencës së partive politike. Ky ishte propozimi i djeshëm i Presidentit Bamir Topi në një takim të organizuar nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit. Sipas kreut të shtetit, në vitet e fundit është miratuar një paketë ligjore, në përmbajtje të së cilës përfshihen disa ligje dhe akte nënligjore, që kanë për qëllim sigurimin e një barriere ligjore ndaj korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesave. Topi vlerësoi se është shumë e nevojshme të kryhen përmirësime të tjera në legjislacion, siç është një përputhje e legjislacionit aktual dhe akteve ndërkombëtare mbi korrupsionin, si dhe shumë i rëndësishëm paraqitet edhe rregullimi i financimit të partive politike e organizative. "Ku është e nevojshme të parashikohen mekanizma ligjorë që të eliminohen tërë mundësitë e një varësie financiare mes biznesit dhe entiteteve politike në vend", theksoi Topi. Presidenti konstatoi se Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive duhet ta shtrijë aktivitetin e vet edhe në këtë linjë për të marrë një vlerësim tjetër, për të marrë një kredibilitet tjetër publik. "Për të marrë të drejtën e vlerësimit objektiv dhe natyrisht, them që s‘mund ta bëjë i vetëm. Por duhet ta bëjë! Duhet të fillojë ta bëjë! Duhet të fillojë të evidentojë raste. Në mënyrë absolute asgjë s‘mund të kamuflohet, ne jemi një vend i vogël. Gjithçka dihet, gjithçka diskutohet", insistoi Topi. Ai vlerësoi se ajo që diskutohet në tavolina të ngushta, ajo që diskutohet në tavolina kafenesh, ka nevojë të diskutohet me zë të lartë e të hapur dhe me transparencë të plotë, në mënyrë që konkurrenca të jetë reale, konkurrenca të jetë civile, të jetë qytetare, të jetë sikurse thashë, mbi bazën e parametrave të vlerësueshëm nga shoqëria. Sipas tij, është e kotë të bëjmë koment, në mjaft raste dihet, në mjaft raste merret informacion, në mjaft raste është pjesë e debatit publik, pikërisht teprimi me financimin e fushatave elektorale, qofshin këto në zgjedhjet e përgjithshme politike, qofshin këto në zgjedhjet e pushtetit vendor, qofshin këto në zgjedhjet e pjesshme për një komunë të caktuar. "Qoftë nga eksperienca individuale, qoftë nga eksperienca bashkëkohore, njerëzit që kanë reputacion publik, nuk kanë nevojë për financime, nuk kanë nevojë që të abuzohet në këtë linjë", u shpreh Topi, duke këmbëngulur se fushatat elektorale kanë nevojë për financa, të cilat janë ligjore, për financa të cilat janë transparente. "Në këtë sens unë mendoj se inspektorati, por jo vetëm ai, sepse do të ishte i pafuqishëm, por besoj një harmonizim i interesit dhe i punës së mjaft institucioneve, duke filluar nga vetë partitë politike, e sidomos nga ato parlamentare që janë pjesë jo vetëm e këtij diskutimi politik publik, por janë pjesë edhe e iniciativës ligjvënëse", argumentoi Topi. Në vlerësimin e kreut të shtetit, inspektorati sot, me strukturat e krijuara, me infrastrukturën e tij, por edhe nga pikëpamja njerëzore, është i aftë t‘u përgjigjet plotësisht kërkesave të kohës, të cilat lidhen jo vetëm me nevojën e kushteve që duhen përmbushur në funksion të shtetit të së drejtës. Topi pohoi se rezulton nga mënyra se si ente të tjera të shtetit, siç janë kontrollet e brendshme dhe deri te strukturat e prokurorisë, por edhe ente të tjera publike, apo qoftë edhe struktura politike, e kanë parë luftën kundër korrupsionit si ekskluzivitet të këtij inspektorati. "Me këtë nuk dua të them se strukturat e tjera të shtetit nuk i kryejnë funksionet e tyre, por dua të evidentoj faktin që shteti funksionon dhe duhet të funksionojë si një i tërë, ku secili përbërës i tij kryen funksionet e caktuara me ligj, por njëkohësisht dhe në mënyrë të ndërvarur nga njëri-tjetri", insistoi Topi.
Konstatimi i "Shqip" gjen mbështetjen e Presidentit Topi
Prej muajsh gazeta "Shqip" kishte ngritur shqetësimin rreth transparencës së financimit të partive politike në kohë fushatash dhe mes tyre. Nisur nga fakti se iniciativa për t‘i bërë më transparente financimet e partive politike po rrezikonte të kalonte jashtë axhendës politike, morëm nismën për të nxitur këtë debat. Në vitin 2001, Gjykata Kushtetuese amendoi ligjin që i kërkonte Kontrollit të Lartë të Shtetit të investigojë kontributet e dhuruesve privatë në fushatat e partive politike, duke përcaktuar se kontrolli ushtrohet vetëm ndaj parave të marra prej buxhetit të shtetit. Ndryshimi u mbështet në faktin se nuk i takon Kontrollit të Lartë të merret me financat jashtë buxhetit të shtetit. Si rrjedhojë, në kohën kur partitë politike dorëzojnë raportet mbi shpenzimet e fushatave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shteti mund të ushtrojë auditin vetëm për mënyrën se si janë shpenzuar paratë e dhëna nga buxheti. Kontrolli për financimet e tjera jashtë kësaj hapësire injorohet. Ekspertët theksojnë se reforma shumë e nevojshme për sistemin e financimit të partive lihet mënjanë, ndërsa qeveria dhe opozita fokusohen në debatin se sa i lartë apo i ulët duhet të jetë pragu për futjen e partive në Parlament. Raporti i fundit i Transparency Internacional konstatonte se shuma e parave të shpenzuara nga partitë politikë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2007-ës ishte shumë herë më e madhe se sa u deklarua publikisht, ashtu sikurse më e madhe në krahasim me shumat e shpenzuara më parë. Raporti nënvizonte se deklaratat e partive mbi shpenzimet nuk reflektonin vlerat reale të tyre. Në një kohë kur Kontrolli i Lartë i Shtetit mund të hetojë vetëm mbi fondet që u caktohen partive prej buxhetit të shtetit, vlerësohet se rreth 90% e shpenzimeve të bëra në fushata mbeten jashtë kësaj hapësire hetimi. Në një publikim të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, konstatohet se biznesi shqiptar mbush mbi gjysmën e xhepave buxhetit të partive dhe, nga ana tjetër, nuk ka asnjë interes për ta bërë publike këtë kontribut, me qëllim që ai të kthehet në favor pas përfundimit të fushatave, përmes lehtësirave ligjore apo tenderëve publikë.
Laska kërkon bashkëpunim mes institucioneve
"Të qartësohet mirë ligji për të mos mbajtur ngarkesa të panevojshme"
Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP-së, Fatmira Laska, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, me synim luftën ndaj korrupsionit dhe konfliktit të interesit. "Pavarësisht arritjeve të deritanishme të institucionit, veprimet e njërës palë nuk janë gjithçka, nuk mjaftojnë për të konsideruar si të plotësuar kërkesat e Kodit të Procedurës Administrative", nënvizoi Laska. Sipas saj, kur detyrimet e ndërsjella ligjore anashkalohen apo dhe vonohen nga struktura të njëjta për nga përgjegjësia për luftën kundër korrupsionit, kuptohet që Inspektoratit të Lartë i krijohen vështirësi e pengesa në ushtrimin e kontrollit të drejtpërdrejtë të deklarimeve. Zonja Laska kërkoi më shumë angazhim nga drejtuesit e administratës publike, pasi ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Idenë e saj, Inspektori i Përgjithshëm e ilustroi me një shembull: "Nga kontrollet e kryera prej stafit të Inspektoratit të Lartë në institucione të ndryshme në muajin shkurt 2008, konstatohet mungesë evidentimi e pasqyrimi në regjistrin e institucioneve për raste të ekzistencës së konfliktit të interesit". Më tej, ajo shtoi se "presim të ofrohen shembuj/raste për të konkluduar sa më shpejt e drejt mënyrat për zgjidhjen e mundshme të konfliktit dhe kur nuk ekziston vullneti për zgjidhje, zyrtari duhet të largohet nga funksioni". Ky apel iu drejtua edhe medias e shoqërisë civile, duke u vënë theksi në faktin se duhet realizuar një monitorim nga pasiv në aktiv, pra "duhet të kuptojmë objektivisht se nuk bëhet mirë të mbetemi vetëm në mbledhjen e informacioneve në fushën propagandistike kundër korrupsionit, por duhet që ato materiale apo informacione të analizohen në realitetin e një prove ligjore dhe vetëm atëherë mbi to të nxirren përfundimet e duhura". Laska konstatoi se ka shumë nevojë për bashkëpunim, sigurisht që bashkëveprimi në kohën e duhur do të ndikojë pozitivisht për të parandaluar veprimet e parregullta të zyrtarit pa u rënduar në to, kur dihet që në rastin më të lehtë përbën përgjegjësi administrative. "Prej leximit të akt- kontrolleve të veçanta, të përgatitura nga grupe kontrolli, konstatohet mungesë evidentimi e pasqyrimi në regjistrin e institucioneve për raste të ekzistencës së konfliktit të interesit", tha Laska. Sipas saj, strategjia e re antikorrupsion kërkon më shumë punë për të kuptuar e qartësuar më tepër ligjin e konfliktit të interesave; duhet të kërkojmë përjashtimin nga përshtatshmëria e të respektojmë kërkesat ligjore. "Duhet të njihet, të qartësohet mirë ligji për të mos mbajtur ngarkesa të panevojshme, vetë titulli i ligjit fillon me fjalën ‘parandalim‘ dhe parashikon afate ligjore nëpërmjet të cilës të jep mundësi, të lejon kohë për t‘i dhënë zgjidhje konfliktit të interesit", nënvizoi Laska.