Kukës, në Doganën e Vërmicës vendoset flamuri i shtetit të Kosovës
Nga dita e djeshme, në Doganën e Prizrenit, në Vërmicë, 50 m larg asaj të Morinit të Kukësit, do të valëvitet flamuri shtetëror i Kosovës. Vendosja e flamurit është bërë në mesditën e së hënës me një ceremoni zyrtare, shoqëruar me një koktej dhe tortën e madhe me hartën e dy shteteve shqiptare. Në ceremoni morën pjesë efektivë civilë dhe me uniformë të të dyja doganave, ushtarakë gjermanë të KFOR-it si dhe Qamil Cenalia, prefekt i Kukësit, si dhe Ramadan Muja, kryetar i Komunës së Prizrenit. Ky i fundit tha në emër të pushtetit kosovar se vendosja e flamurit shënon fillimin e një epoke të re për dy pjesët shqiptare si dhe më gjerë. "Për Kosovën dhe Shqipërinë tashmë nuk ekzistojnë pengesa për të bashkëpunuar dhe për t‘u zhvilluar ekonomikisht. Pavarësia do të nxisë arritjen e standardeve evropiane dhe perspektiva do të jetë shumë e mirë", tha Muja. Edhe prefekti i Kukësit, nga ana e tij, uroi homologun për pavarësinë e Kosovës dhe shprehu vullnetin e qeverisë dhe Kryeministrit për bashkëpunim të shumanshëm me shtetin e ri të Kosovës dhe mbështetje për të. Cenalia përmendi me këtë rast autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë, e cila duke filluar nga viti i ardhshëm do t‘i japë Kosovës një dritare jetike për zhvillim. Në Doganën e Vërmicës janë vendosur tashmë nëpunës civilë dhe të policisë së kualifikuar të Kosovës. Që nga viti 1999, aty kanë shërbyer punonjës të UNMIK-ut, një organizëm i OKB-së, i cili pas disa muajsh do t‘ia lërë vendin një force modeste të BE-së.