PD rimerr kryetarin e Komunës Paskuqan
Fatos Rexha është kryetari i
ri i Komunës së Paskuqanit.
Komisioni Zonal i Qeverisjes
Vendore ka përfunduar
dje në mëngjes procesin e numërimit
të fletëve të votimit për
zgjedhjet e pjesshme vendore.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror
të Zgjedhjeve, Leonard Olli, konfirmoi
se sipas tabelës përmbyllëse
të rezultateve të KZQV-së
të Komunës Paskuqan, fitues
rezulton kandidati Fatos Rexha,
i mbështetur nga Partia Demokratike.
Sipas këtyre të dhënave,
përfaqësuesi i partive në pushtet
ka marrë 4159 vota, ndërkohë që
kandidati i opozitës, Gjin Prengaj,
ka marrë 2836 vota. Institucioni
i menaxhimit të zgjedhjeve raportoi
se përfundimi i procesit të
numërimit të votave për kryetarin
e komunës u arrit në orën 08:30
të mëngjesit të ditës së hënë. Bazuar
te procesverbali i komisionit
zonal zgjedhor, diferenca midis
dy kandidatëve është 1323 vota
në favor të kandidatit demokrat.
"Në përfundim të procesit të
votimit për zgjedhjet e pjesshme
për kryetar komune në Paskuqan,
nga 26 mijë e 102 shtetas me të
drejtë vote, morën pjesë vetëm
7291 zgjedhës, ose rreth 28 për
qind e tyre", konstatoi zëdhënësi
i KQZ-së, Olli. Procesi i votimit
në këtë komunë është ndjekur
me më shumë interes nga Partia
Socialdemokrate, e cila ka pasur
edhe kandidatin e saj për kryetarin
e Komunës së Paskuqanit.
Nënkryetari i kësaj partie, Pajtim
Bello, pretendoi se gjatë procesit
të votimit, një numër i madh
njerëzish u janë transferuar qendrat
ku do të votonin, duke bërë
që ata të kërkojnë nëpër qendrat
e tjera për të gjetur emrin e tyre.
Gjithashtu, sipas Bellos, ka pasur
tentativa për të manipuluar
procesin me certifikata false.
"Zgjedhësit janë kaluar nga një
qendër votimi te të tjerat. Njerëzit
shkojnë dhe në vend që të jenë në
vendbanimin e tyre janë në një
qendër që duhet ta gjejnë ata ku
janë, duhet të lëvizin gjatë gjithë
ditës dhe kjo ka shkaktuar një
nervozizëm dhe lodhje të tyre.
Problemi i dytë është se dje janë
vërejtur fenomene të cilat kanë
hedhur një hije dyshimi shumë të
rëndë mbi ndarjen e certifikatave
false", nënvizoi Bello. Në procesin
e votimit më 18 shkurt 2007, koalicioni
i djathtë kandidoi Jashar
Hoxhën, ndërsa koalicioni i majtë,
Gjin Prengajn, përfaqësues i
Partisë Socialdemokrate. Në këto
zgjedhje, kandidati i koalicionit
të djathtë, Hoxha, arriti të marrë
4009 vota, ose 53.46% të tyre,
ndërsa kandidati i koalicionit të
majtë mori 3490 vota, ose 46.54%.
Zgjedhjet e datës 24 shkurt 2008 u
shkaktuan pas ndarjes nga jeta të
kryetarit të komunës Jashar Hoxha.
Deri më tani rezulton që në
katër procese të pjesshme zgjedhore,
që pas zgjedhjeve lokale
të vitit 2007 të ketë dalë fituese
e djathta dhe kandidatët e saj. I
pari proces pas votimeve për pushtetin
lokal ishte zona zgjedhore
parlamentare e Shijakut ku fitoi
Sokol Olldashi. Në procesin tjetër
zgjedhor të zhvilluar në Pogradec
fitoi kandidati Eris Hoxha dhe në
zgjedhjet e pjesshme në zonën
31 në kryeqytet rezultoi të dilte i
pari Edi Paloka. Në këto procese,
opozita, në rolin e palës humbëse,
pretendoi se kishte pasur
manipulime të shumta. Sipas saj,
votimi në këto zgjedhje të pjesshme
u krye në bazë të standardeve
të zgjedhjeve parlamentare
në 3 korrik 2005, çka hap debatin
për përdorimin e certifikatave,
element shumë i kontestueshëm
në momentin e rrotacionit të
pushtetit. Humbja e këtyre proceseve
të pjesshme për të majtët
vjen pas fitores së zgjedhjeve për
pushtetin lokal në shkurtin e vitit
2007. Ndërsa në vijimësi, lidershipi
i Partisë Socialiste ka përsëritur
se rezultatet e tilla të pjesshme
nuk e përfaqësojnë frymën reale
popullore ndaj qeverisjes së keqe
të Kryeministrit Sali Berisha.