E Diel, 1 Nëntor 2026

Derbi torinez mbyllet në "paqe"

Java e 25-të e Serisë A është hapur me një ndeshje të madhe: derbi numër 223 i Torinos. Në këtë sfidë Juventusi ka zbritur në fushë Paladinon në krahun e djathtë dhe çiftin Sisoko-Kamoranezi në qendër të mesit të fushës. Trajneri i skuadrës "granada", Novelino ka preferuar Rekobën në vend të Rosinës. Takimi është luajtur shumë i ekuilibruar dhe momenti i vetëm që mund të veçohej në 25 minutat e para ishte largimi nga fusha i Natalit, që është goditur rëndë nga portieri Sereni. Rasti më i mirë në 45 minutat e para regjistrohet nga Iakuinta, që devijon bukur me kokë, por "gardiani" i Torinos ka larguar rrezikun. Fraksioni i dytë i lojës ka filluar me dy dëmtime për skuadrën e Novelinos, Diana zëvendësohet nga Rosina dhe Stelone, që gjakoset në kokë por vazhdon lojën. Në të 62-tën, Paladino shënon për bardhezinjtë, megjithatë aksioni ndalohet për pozicion jashtë loje. Pas tij janë Del Piero dhe Iakuinta që tentojnë, por pa mundur të përshëndesin rrjetën. Torino kundërpërgjigjet me goditjen e dënimit të Rosinas në minutën e 74-t, por traversa shpëton Bufon. Mes tensionit dhe kartonit të kuq për Nedved (gjest anti-sportiv në sytë e gjyqtarit), derbi përfundon në barazim 0-0, me Juventusin ngjitet në kuotën e 48 pikëve duke humbur shansin për t‘u afruar me Romën. Tashmë rreziku nga Milani dhe Fiorentina, në garën për vendin e tretë, është real.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›