Çelsi, revoltë kundër Grant
"Çelsi në revoltë". Ky ka qenë titulli i "Daily Express", që paraqet situatën e tensionuar te Çelsi, gjendje e cila ka qenë edhe në vëmendjen e gazetave të tjera britanike. Shkak është bërë humbja në finalen e Kupës së Ligës përballë Totenhemit, por edhe zgjedhjet e trajnerit, që kanë sjellë pakënaqësi në radhët e yjeve të skuadrës. E përditshmja "Daily Mail" tregohet më e qartë, duke shkruar se nëse Avram Grant dëshiron të vazhdojë punën në skuadër, duhet të fitojë të paktën një trofe deri në fund të sezonin, ndërsa "The Sun" fton lexuesit të japin komente, duke ngritur pyetjen: A mos vallë trajneri ka humbur arsyen? Edhe tifozët nuk i kanë kursyer kritikat për teknikun izraelit (sharja më e lehtë ka qenë "i paaftë"), si në sajtin zyrtar të klubit, ashtu edhe në forumet e specializuar. Fantazma e Hoze Murinjos vazhdon të ekzistojë në "Stemford Brixh" dhe mbështetësit e klubit londinez kërkojnë rikthimin e portugezit, me të cilin skuadra arriti shumë suksese.
Pakënaqësitë brenda Çelsit janë të dukshme dhe sipas mediave në ishull kulmi ka arritur me një zënkë përpara finales në "Uembli" ndërmjet kapitenit Xhon Terri dhe ndihmësit të Grant, Henk Ten Keit. Gjithçka ka ndodhur në prezencën e pronarit të klubit, Roman Abramoviç dhe sipas dëshmitarëve Ten Keit (që njihet si provokues dhe nuk është lidhur me lojtarët që prej afrimit në stafin teknik) ka sulmuar verbalisht mbrojtësin. Ky i fundit i është kundërpërgjigjur dhe prej këtij momenti kanë shpërthyer ofendime të rënda, madje lojtari dhe zv/trajneri janë konfrontuar kokë më kokë përpara se t‘i ndanin. Sipas informacioneve, Terri nuk ka pranuar t‘i kërkojë falje ndihmësit të Grant. Shkaku i sherrit duket se ka qenë për formacionin titullar, pasi trajneri izraelit ka vendosur që t‘i zbulonte emrat vetëm dy orë përpara ndeshjes. Mes të pakënaqurve figurojnë edhe Ashli Kol dhe Mikael Balak. Mbrojtësi nuk e ka pritur mirë vendimin për të qëndruar në stol gjatë finales me Totenhemin dhe nuk është prezantuar në stërvitjen e fundit të skuadrës, duke bërë që stafi teknik ta përjashtonte nga lista e 16 lojtarëve. Ndërkohë, mesfushori priste të luante, por në momentin e fundit është vendosur që të luajë Lampard. Pakënaqësi ka shkaktuar edhe prezenca e shpeshtë e Abramoviç në stërvitjet e skuadrës (nuk kishte ndodhur kurrë më parë) dhe ka nga ata që mendojnë se manjati rus ndërhyn drejtpërdrejt në zgjedhjet teknike të trajnerit Grant.