E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku gabojnë Godo dhe "Mjaft"

Në fushatën për të ndaluar firmosjen nga ana e Presidentit, të ligjit mbi TVSH-në e librit, përveç të interesuarve direktë në betejë, po shfrytëzohen emra dhe organizata prestigjioze. Kështu, përveç firmës së 100 intelektualëve, tani së fundmi penguesit e këtij ligji kanë thirrur në ndihmë zotin Godo dhe organizatën "Mjaft". Në fillim besoj duhej shpjeguar qartë se ligji nuk do të ishte kundër librit të huaj, apo periodikut të huaj që vjen nga jashtë, por gjithë produkteve shqiptare të mësipërme që shtypen jashtë shtetit. Këto dy gjëra nuk mund të ngatërrohen kurrë.

Natyrisht, është normale që periodiku i huaj dhe veçanërisht shtypi i huaj, të përjashtohen nga TVSH-ja. Kjo dhe sikur të mos donte qeveria shqiptar të përjashtonte produktet e mësipërme nga taksa, nuk mundej, pasi e pengojnë marrëveshjet ndërkombëtare që ka firmosur. Problemi shtrohet për shtypin shqiptar dhe veçanërisht librin shkollor që shtypet jashtë shtetit. Pse duhet për këta lloj artikujsh të vendoset TVSH?

Në vendet ballkanike, apo në Kinë, Tajvan, ligjet për eksport favorizojnë ndërmarrjet vendase që eksportojnë duke u hequr TVSH-në. Po të llogaritësh që lëndët e para në përgjithësi këto vende i prodhojnë vetë, atëherë kuptohet lehtë se një libër i shtypur jashtë do të kushtonte më pak se një libër i prodhuar në Shqipëri. Duhet të llogarisim edhe një fitim tjetër që vjen nga shtypja e librave jashtë. Faturat e shtypit, treguar shtetit shqiptar kur vijnë nga jashtë, theksojnë se ato janë në kosto shumë më të mëdha se sa shtypen realisht. Bile më të mëdha se sa do të kushtonin në Shqipëri. Kjo manovër e tregtarëve apo botuesve shqiptarë bëhet thjesht për të shmangur tatim-fitimin. Një babëzi e tillë ka bërë që në aparencë shteti shqiptar të importojë një vlerë malli prej rreth 200 milionë eurosh në vit. Një shaka e tillë do të thoshte që ky shtet ushqehet me libra! Ndoshta një fakt i tillë e shtyn Ministrinë e Financave të studiojë nga afër problemin. Masa e marrë është vendosja e TVSH në kufi për produktet e tilla. Pra për t‘i vënë fre kësaj babëzie çnjerëzore, që veç të tjerave është dhe antikombëtare, që çon në shkatërrimin përfundimtar të industrisë së librit, siç do të mundohem ta shpjegoj më poshtë.

Në Tiranë ekzistojnë rreth 350 shtypshkronja me rreth 2000 punonjës. Të gjendur përballë konditave të përmendura më sipër, ato janë të detyruara të falimentojnë. Kjo sepse ato paguajnë TVSH për lëndët e para, të cilat janë të detyruara edhe t‘i importojnë.

Kërkesa e tyre është e thjeshtë. Të vihen në kondita të barabarta me të huajt. Barazi që realizohet në dy mënyra. Ose të hiqet TVSH për librin dhe lëndët e para dhe këtu ose të vendoset në kufi TVSH për gjithë librin shqiptar (jo periodikun e huaj!) që shtypet jashtë. Kjo do të ekuilibronte lojën. Heqja e TVSH-së këtu nuk realizohet, sepse këtë do ta kërkonin dhe shumë sektorë të tjerë jetikë. Atëherë mbetet vendosja e saj në kufi për produktet shqiptare të shtypura jashtë. Kjo do t‘i jepte fund dhe babëzisë për të mospaguar tatim-fitimin.

Po le të mendojmë për një moment se realizohet ideja që Presidenti nuk e firmos këtë ligj. Natyrisht në mënyrë automatike do të falimentojë prodhimi vendas, për shkak të kësaj pabarazie. Po kjo është më e pakta. Jashtë shtypet në masë të madhe vetëm libri shkollor, por jo tirazhet minimale të librit artistik. Kjo, për të shpjeguar alla Godo, se "është e lirë kripa në Durrës, po e ha qiraja rrugës". Kështu, e gjithë kjo sasi, përbërë nga tirazhe minimale, do të shtypej në Shqipëri. Kësaj radhe me një çmim katastrofik, për shkaqet më sipër.

Po përfytyroni sikur libri shkollor të shtypej brenda vendit. Veç valutës së moshumbur, punës për treqind e pesëdhjetë shtypshkronja dhe 2000 punëtorë do t‘i shtohej dhe qetësia që për tirazhe minimale do të kishim çmime të arsyeshme. Që deri tani shtypet për shkaqet e më sipërme në kosto të mëdha.

Në këtë arsyetim do llogaritur diçka më e madhe. Në Shqipëri konsumi për frymë në letër është 2 kg në vit. Në Slloveni është 180 kg në vit. Pra, duke asgjësuar prodhimin vendas, sot ne i themi kësaj industrie lamtumirë edhe për nesër.

Andaj i lutem zotit Godo dhe "Mjaft"-it, që para se të flasin, të informohen mirë për problemin. Ndryshe ata bëhen pre e njerëzve që përveç se tregtarë librash dhe manipulues, nuk mund të jenë gjë tjetër. Dhe do të mbeten vetë viktima për batakçinjtë që na përqeshin, siç kanë bërë e po bëjnë për 17 vjet me radhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›